Francesco Totti, 225 gola në Serinë A

04/03/2013 00:00

Francesco Totti vazhdon të shkruajë historinë e Serisë A. Me golin që shënoi ndaj Genoas të dielën në mbrëmje, kapiteni i Romës bëhet golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e futbollit italian me 225 gola duke u barazuar me suedezin legjendar të Milanit dhe Romës, Gunnar Nordahl.

“Ishte diçka emocionuese. E doja me gjithë shpirt këtë rekord dhe e arrita para tifozëve të mi që më kanë dhënë gjatë karrierës shumë dashuri dhe mbështetje. Jam i lumtur”, theksoi Totti pas fitores së skuadrës së tij me rezultatin 3-1.

Tashmë numri 10 i verdhekuqve ka para vetes në renditjen e golashënuesve historikë të kampionatit italian vetëm Silvio Piolën, i cili ka shënuar 274 gola në karrierë me fanellën e Pro Vercelli, Lazio, Juventus dhe Novara.

Golat për Romën u shënuan nga Totti (11-metërsh), Romagnoli dhe Perrota, ndërsa barazimi i përkohshëm i Genoas kishte si autor sulmuesin Borriello (11-metërsh).

Top Channel