
Ata janë 15 veta dhe secili ka vetëm një qëllim, të fitojë çmimin e madh në “Big Brother”.
Të izoluar nga bota dhe realiteti, banorët duhet të fitojnë simpatinë e publikut, mbështetje kjo që reflektohet përmes votave të dërguara me sms.
Por, me sa duket, çdo njëri nga banorët ka lënë jashtë shëtpisë një ushtri të vërtetë me miq dhe bashkëpunëtorë që punojnë për të bërë reklamë nëpër rrjetet sociale për njeriun e tyre.
Deri tani, duket se punën më të mirë e kanë bërë ata që mbështesin Anaidin. Për gazetarin aventurier është hapur një profil zyrtar në “Facebook”, i cili deri tani ka arritur të mbledhë më shumë fansa se të gjithë faqet e konkurentëve të tjerë.
Për një javë, më shumë se 5 mijë persona janë bërë pjesë e faqes së Anaidit.
Për Altinën, aktoren nga Gjakova, shtëpia e “Big Brother” do të jetë si një shesh xhirimi me kamera në të gjitha anët.
Ndërkohë, njerëzit që punojnë për imazhin e saj janë vënë në lëvizje. Ata kanë mbledhur mbi 3 mijë veta në faqen e banores “Big Brother” në “Facebook”.
Më e vogla e shtëpisë, Elena, duket se po tërheq jo pak vëmendje nëpër rrjetet sociale. Ndoshta edhe për faktin se është modele dhe fotot nuk i mungojnë, ajo ka një nga profilet më interesante në “Facebook”.
Ndërkohë, banorët e tjerë, megjithë cilësitë e tyre ende nuk kanë arritur të mbledhin mbi një mijë veta në faqet zyrtare që mbajnë emrin e tyre në “Facebook”.
Ndoshta është ende shpejt, megjithatë mbështetja në rrjetet sociale nuk është treguesi i saktë se cili nga personazhet është më i preferuari i publikut. Çdo gjë përcaktohet përmes votimit i cili kryhet vetëm me sms.
Top Channel