F1, Alonso: Nuk e kam zili Vettel-in

04/03/2013 14:55

Fernando Alonso është shprehur një ditë pas përfundimit të testimeve parasezonale të Formulës 1 se nuk do e ndërronte aspak vendin me Sebastian Vettel, gjermanin që ka fituar tre botërorët e fundit me Red Bull.

“Nuk do ndërrohesha me askënd. Kam dy tituj dhe jam i lumtur me arritjet e mia. Mendoj se jam një pilot më i mirë se sa kur fitova titujt me Renault. Do ndërrohesha vetëm me Michael Schumacher sepse ai ka 7 tituj, më shumë se kushdo”, theksoi piloti spanjoll i Ferrarit.

Alonso u shpreh i kënaqur me makinën e tij në prag të sezonit të ri duke shpresuar për një vend në podium në garën e parë, Cmimin e Madh të Australisë.

Ndërsa për rivalët e këtij sezoni, ferraristi theksoi: “Nuk mund të japësh parashikime nisur nga testimet, por mendoj se Red Bull dhe McLaren duhet të jenë të shpejta.”

Top Channel