Sheikët, 1,5 miliardë stërlina për Arsenalin

03/03/2013 10:35

Arsenali mund të shndërrohet në klubin më të fundit anglez të vendosur nën pronësinë e sheikëve, pasi një konsorcium nga Lindja e Mesme ka ofruar shumën rekord prej 1,5 miliardë stërlinash (1,73 mld euro, 2,2 mld dollarë) për pronësinë, raportoi të dielën “Daily Mail”.

Grupi, i cili për momentin ka vendosur të mbetet anonim, ka bërë një ofertë që tejkalon disa herë vlerën reale të londinezëve, me synim që të përvetësojë 100% të aksioneve, duke marrë kontrollin e plotë të klubit.

Kurrë më parë një klub nuk është blerë për një shumë të ngjashme, të barazvlefshme përafërsisht me gjysmën e buxhetit shtetëror të një viti në Shqipëri.

Sipas të përditshmes britanike, pas konsorciumit është një grup investimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Stan Kroenke, aksioneri që zotëron paketën e shumicës tek Arsenali nuk ka bërë të ditur ende se çfarë do të vendosë të bëjë, por besohet se në rast shitje ajo do të jetë e shpejtë, pasi klubi nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Champions League dhe në këtë rast, oferta mund të pësojë një reduktim të ndjeshëm.

Nëse oferta do të konkretizohet, Arsenali do të ishte në gjendje të shndërrohej në një lloj Paris SG apo Manchester City të ri, duke u shndërrua në protagonist të merkaton e ardhshme të verës.

Top Channel