Kamza Basket shkatërron Tiranën

03/03/2013 00:00

Nuk ka rivalitet sa i përket titullit kampion edhe të këtij sezoni në basketboll për meshkuj.

Kamza ka shkatërruar Tiranën e vendit të dytë me rezultatin 95-63 në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Farie Hoti”. Pas një periode të parë disi të rivalizuar dhe ku Tirana arriti edhe të kalojë në avantazh, 3 periodat e mbetura u dominuan plotësisht nga Kamza Basket.

Mbështetja e grupimit “Tirona Fanatics” thjesht sa nxehu atmosferën në këtë palestër, e cila ishte e mbushur e gjitha. Sa i përket lojës, Kamza e dominoi plotësisht duke u treguar e pamëshirshme sidomos në periodën e katërt ku u thellua edhe më shumë avantazhi.

Pas kësaj ndeshjeje, Kamza Basket vazhdon të kryesojë klasifikimin pas 17 ndeshjesh ku mban dhe rekordin me asnjë humbje. Ndërkohë, Tirana mbetet në vendin e dytë me 14 fitore dhe tre humbje.

Top Channel