Celibashi, kandidat i Partisë Socialiste

03/03/2013 00:00

Partia Socialiste vijoi edhe këtë të dielë traditën e 4 javëve të fundit me prezantimin e emrave të rinj që do të garojnë nën siglën e kësaj partie në zgjedhjet e 23 qershorit.

Kreu i opozitës, Edi Rama, shprehu kënaqësinë që pas disa refuzimeve në të shkuarën ish kreu KQZ-së Ilirian Celibashi i bashkohet ekipit kombëtar të Rilindjes.

“Të gjithë e shohin se si kundërshtari na është vënë pas. E ka humbur betejën me varfërinë, papunësinë dhe borxhin kombëtar. E ka humbur betejën me korrupsionin dhe sot është bërë fytyra dhe dora e korrupsionit. Sot, skuadrës sonë kombëtare për Rilindjen i bashkohet një emër i njohur për publikun. Njeriu që mbahet mend nga të gjithë për garantimin me profesionalizëm dhe vullnet qytetar të të vetmit rotacion pushteti pa rrëmujë në Shqipëri: Ilirjan Celibashi. Unë jam i kënaqur që pas dy refuzimesh, këtë herë Ilirjani më shprehu gadishmërinë për të kontribuar në skuadrën tonë”, theksoi Rama.

Juristi Celibashi u shpreh se ftesa për t’ju bashkuar PS-së daton shumë kohë më parë jo vetëm prej Edi Ramës, por edhe prej miqve dhe dashamirësve brënda të majtës. Zoti Celibashi nënvizoi rëndësinë që merr votimi masiv në këto zgjedhje: “Dua tu bëj thirrje qytetarëve që këtë herë të votojnë masivisht alternativën e Partisë Socialiste pasi është alternativa më e mirë për vendin të paktën për katër vitet e ardhshme.”

Top Channel