Deputeti i PS Pandeli Majko duke komentuar ngjarjen e  rëndë të vrasjes së kryekomisarit Lamaj, e konsideron vrasjen e policeve si vrasjen e shtetit.

Ish-kryeministri  Majko  u shpreh se janë të papranueshme sulmet dhe akuzat që po bën mazhoranca ndaj opozitës ne kushtet kur kjo e fundit nuk ka asgjë tjetër veç fjalës për të reaguar.

“Opozitës nuk mund t’i kërkosh tani pse akuzon sepse ka vetëm fjalën. Por sot në Shqipëri ne kemi një problem shumë të madh të sigurisë. Është i disati komisar që po vritet. Sot të kesh guximin të vrasësh një polic, është më shumë se sa guximi për të marrë armën dhe për të vrarë policin, vrasja e policit është vrasja e shtetit dhe këto gjëra po ndodhin ngadalë duke e rrudhur atë”, tha Majko.

Ka reaguar edhe Partia Kristian-demokrate e Shqipërisë ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Sipas saj përpjekjet për ta lidhur vrasjen me emrin e PKDSH-së jane ulëta dhe perverse.

PKDSH thotë se i dyshuari për vrasje ishte një ndër kandidaturat e ofruara për Qarkun Shkodër, ndërsa zyra e hapur i përket degës së kësaj partie në qytetin verior.

“Pohojmë se zoti Arben Frroku ishte një ndër kandidaturat e ofruara për Qarkun Shkodër, ende të pazyrtarizuara, ndërsa zyrat e hapura i përkasin Partisë Kristian-demokrate dega Shkodër”, deklaroi Dhimitër Muslia, kreu i PKDSH-së. 

Top Channel