Balotelli nuk do të luajë ndaj Lazios

01/03/2013 14:15

Mario Balotelli nuk do të jetë në fushë në ndeshjen që Milani do të luajë ndaj Lazios të shtunën në orën 20:45.

Sulmuesi i kuqezinjve pësoi një dëmtim të vogël në gju në derbin ndaj Interit dhe nuk është stërvitur gjatë javës me grupin duke bërë që trajneri Massimiliano Allegri të mos e grumbullojë për takimin që mund të përcaktojë vendin e tretë në Serinë A.

“Me 99.99% nuk do të luajë. Balotelli pësoi një goditje ndaj Interit dhe gjatë javës nuk është stërvitur. El Shaarawy do të grumbullohet, por nëse nuk është mirë, do të luajë dikush tjetër”, deklaroi trajneri i kuqezinjve.

“Në qendër të mbrojtjes, i skualifikuari Mexes mund të zëvendësohet nga Yepes ose Zaccardo”, shtoi Allegri, i cili nxiti El Shaarawyn të vazhdojë të luajë në këtë mënyrë për të hyrë në historinë e klubit.

“Është rritur shumë dhe është një djalë me këmbë në tokë. Ai e di që nuk mjafton vetëm një sezon i mirë për të shkruar historinë. Duhet të punojë shumë në mënyrë që të ketë një karrierë të suksesshme.”

Top Channel