Nostalgjia e filmave që na rritën

28/02/2013 00:00

E mbani mend Hajdin, Ana Flokëkuqen apo Nils Holgersonin? Sa prej jush jane përpjekur ta gjejnë në internet apo të shohin guidën televizive nëse programacioni i është kthyer edhe njëherë serive të filmave vizatimorë që na kanë shoqëruar në çdo hap?

Vajza e vogël Haidi jetonte në qytet, në Frankfurt, ndihmonte miken e saj Klarën, megjithatë asgjë nuk e ndalonte dot të dashuronte jetën në mal, të donte gjyshin apo të shijonte ajrin e pastër të alpeve. Dëshira dhe këmbëngulja e saj e madhe për të sjellë Klarën në fshat bënë që vajza të shërohej e të ecte si të gjithë njerëzit e tjerë.

Ana Flokëkuqja ka qenë vajza me flokët e kuqe, e cila e vuante shumë këtë fakt. Ajo ishte e birësuar nga një familje që përbëhej nga motra dhe i vëllai i saj. Me kalimin e kohëve, ata u bënë njerëzit më të dashur për të.

Filma të tjerë shumë të pëlqyer nga fëmijët në ato vite kanë qenë Maxinga Z, Xha Barka, Nils Holgersoni, Ariu fotograf, Lulja magjike apo edhe Ujku dhe kau.

“Nëse një ditë do të trokasësh në derën time” është seriali ku tregohet historia e një nëne dhe një vajze të droguar. Një ditë vajza braktis shtëpinë dhe nëna i thotë: “Nëse një ditë do kthehesh në derën time, ajo nuk do të të hapet më.” Megjithatë këto ishin vetëm fjalët e një nëne të lënduar. Me kalimin e kohëve ajo rivihet sërish në gjurmët e së bijës.

“Përgjithmonë Xhulia” është një nga serialët televizivë më të suksesshëm që është transmetuar në fillim të viteve ’90 në Shqipëri. Ky serial tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Historia personale e Xhulias me mjekun e saj onkolog, Hermes, intrigoi shumë shikues.

Një tjetër telefilm nga Italia shfaqet në ekranin shqiptar në 1993, “Amico Mio”. Brenda mureve dhe korridoreve të një qendre spitalore në Romë ndërtohen historitë njerëzore. Massimo Dapporto në rolin e doktor Paolo Magrit zhvillon marrëdhëniet e tij jo vetëm profesionale, por edhe lidhjet shoqërore që krijohen me kolegët e veçanërisht me pacientët. Spilo është vogëlushi i braktisur nga familja që përpiqet të ndërtojë jetën e tij në repartin e pediatrisë.

“Nënëmadhja”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, “Ana në rrjedhën e viteve”, “Melrose Place”, “Sandokan” e shumë të tjerë janë filmat që na frymëzuan e që na mbushnin ditët. Ne jetonim me personazhet e në shumë raste gjenim realitete apo situata të ngjashme të jetës sonë.

Cfarë mbajmë mend nga filmat?

Na ishte njëherë kur e gjithë familja ulej para ekranit të vogël të televizorit për të ndjekur me endje filmin që e prisnin gjatë të gjithë ditës me padurim.

Sot kujtojmë me nostalgji ato vite kur argëtimi kryesor ka qenë televizori. Filmat vizatimorë kanë qenë një nga pikat më të forta. Shpeshherë kujdesesshim që të mos na humbte asnjë prej personazheve, të cilët herë-herë përpiqeshim t’i imitonim e herë-herë huazonim batutat e tyre.

Irma është një nga vajzat që pas kaq shumë vitesh përpiqet të kujtojë se çfarë ka mbetur në memorien e saj fotografike prej teatrove e  filmave multimediale: “Në orën 10 të paradites, ditëve të diela, kishte emision për fëmijë. Nga pjesët teatrale që jepeshin kam fiksuar ndodhitë e derrkucit Cufo.“

Ka edhe shumë nga ata të cilët nuk kanë shkuar në shkollë apo nuk kanë dalë të luajnë me shokët vetëm për të mos humbur serinë e radhës.

Mund të përmendim një listë të gjatë filmash që jo rrallë herë përpiqemi t’i gjejmë në internet e t’i shohim, jo për disa minuta, por për disa orë. Kështu ka qenë princesha Sisi, ende dhe sot ka vajza që vazhdojnë ta pëlqejnë e të identifikohen me karakterin e personazhit kryesor.

Kinematografia ka qenë dhe mbetet një prej hallkave më të rëndësishme të shoqërisë. Kanë kaluar shumë vite dhe do të kalojnë shumë të tjerë, por imazhi dhe lidhja e secilit prej nesh me filmat që kemi parë në fëmijërinë apo në rininë tonë do të na mbeten gjatë në kujtesë.

Top Channel