Mustafa Nano – Në trotuarin ngjitur me ndërtesën e Kuvendit, përballë
asaj të Kryeministrisë, gjenden prej shumë javësh dy stenda me
mbishkrime elektronike. Në njërën numërohen në versionin counting down
(së prapthi) sekondat, minutat e orët deri në datën e zgjedhjeve të
qershorit (!!!), duke përcjellë idenë e një dite apokaliptike, apo
ndoshta të një dite të bekuar nga ndonjë vullnet hyjnor. Në tjetrën,
është shkruar thjesht, qartë, shkoqur, si në librat e shkollës fillore:
“Tre ligjet baraz BE”.
Siç shihet, janë gjetje partizane, e njëherazi belbacukësh. Ka dhe një fjalë “turp!”, që shoqëron pohimin matematik “tre ligje baraz BE”, dhe kuptohet që kjo “turp!” është për socialistët që nuk miratojnë tre ligjet. Dhe me siguri ka qenë Jozefina Topalli që e ka dhënë këtë ide. Në mos, e ka miratuar atë. Ndryshe, nuk do të lihej në trotuarin e Kuvendit.
Nuk është hera e parë që ajo bën lojëra të tilla në po të njëjtin vend. Para ca kohësh, në murin e ndërtesës që ngrihet në trotuar, kish shpalosur foto të mëdha të shkrepura në rrugën Laç-Morinë, dhe në secilën prej tyre ishin vendosur diçitura gjithashtu të thjeshta, që të bënin të mendoje se autorët ishin njerëz pa shumë fantazi. Në një rast tjetër, në të njëjtin mur, ishin varur foto nga gjyqet komuniste. Këto të fundit, ç’është e vërteta, ishin shumë interesante dhe të jepnin idenë e një ekspozite outdoors, por ato foto, duke qenë se të cytnin në refleksione, do shkonin më mirë në një ekspozitë indoors. Mirëpo merret me mend se kjo nuk ish bërë me synimin për t’i bërë të tjerët të reflektonin; ish bërë me synime të natyrës elektorale, d.m.th njerëzve që kalonin atypari t’u shkonte në mendje të hiqnin paralele mes atyre që i kishin bërë krimet mizore të diktaturës së Enver Hoxhës dhe socialistëve të sotëm, apo mes atyre që kishin vuajtur e ishin dënuar në ato gjyqe dhe demokratëve të sotëm.
Bingo! Deri këtu shkon Jozefina. Nuk mund të shkojë më tej. Dhe këtë më shumë se sa në çdo rast tjetër, përfshirë dhe rastet e mësipërme, e demonstroi në një intervistë dhënë në programin “Zonë e Lirë”. U informova qysh atë natë në detaje mbi atë intervistë nga ca miq të mi që kishin ndjekur programin, por lexova të nesërmen dhe do fragmente të publikuara në versionin online të “Panoramës”. Ishte një intervistë nga ato që të mbeten në mendje për frazat krejt të vrazhda që bartnin mesazhe po aq të vrazhda, sa mbërrinin keq e me zhurmë edhe në veshët e atyre që mesazhe të tilla do t’i dëgjonin me kënaqësi në rrethana të tjera, apo të dala nga goja e dikujt tjetër. Të gjitha komentet e lexuesve në fund të këtij shkrimi ishin të natyrës kritike apo qortuese. Bënte përjashtim një koment i shkruar nga një person që kish nënshkruar me emrin “Prishtina”, dhe në të thuhej: “Zonja Topalli, je mbretresh, Zoti te rujt dhe te ndihmoft” (e kam sjellë në mënyrë tekstuale, duke shtuar veç një presje pas llagapit “Topalli” e një tjetër para instancës divine). Mendja ta thotë se këta që kanë komentuar, përveç “Prishtinës”, nuk janë dashamirës të Kryetares së Kuvendit. Por puna është se nuk është gjetur në “Panoramën” pro qeveritare qoftë dhe një dashamirës i saj “më i denjë” se robi me emrin virtual “Prishtina” për të shkruar ca fjalë përshëndetëse me rastin e kësaj interviste. E kuptohet pse. Mesazhet e intervistës, ligjërimi publik i saj në përgjithësi, ndoshta dhe një lloj eksitimi psiko-emotiv prej militanteje që ajo demonstron herë pas here, kanë bërë të ndihen ligsht edhe ata që politikisht janë në të njëjtën llogore me Jozefinën.
Në atë intervistë, ajo kish dalë për të dhënë prova luajaliteti ndaj boss-it e mentorit të vet. Këtë e ka bërë shumë herë të tjera, këtë mund ta bënte dhe në rrethana jo televizive, dhe në fund, këtë mund ta bënte ca ndryshe, por ajo zgjodhi mënyrën më pak elegante për ta bërë. “Berisha është partia. Kush mendon se ato vota [të PD-së] janë të tjetërkujt, [gabon]. Ato janë vetëm të Sali Berishës”, tha ajo, teksa pyetej, se “kush do ta zëvendësojë Berishën, kur të largohet nga politika apo nga kjo botë”.
Siç shihet, është tamam një personazh për Çanin, dhe ky i fundit vijoi lojën me Kryetaren e Kuvendit sikur të kish përpara një shitëse dhalli, një të larguar nga shtëpia e “Big Brother”, apo ndonjë grua fatkeqe e sulmuar nga paranojat e halucinacionet. Dhe Jozi, e përndezur kushedi se nga çfarë, vijonte me të vetën: “Për nga energjia, inovacioni, shpresa, për nga optimizmi, Kryeministri Berisha, me i mbledh të gjithë ministrat bashkë dhe po deshe të gjithë mazhorancën bashkë, dhe opozitën, del i pari, del kampion, dhe të tjerët nuk e ndjekin dot më.”
Pritej që pas kësaj interviste skandaloze ta thoshin shumë vetë të vetën, por në shtyp nuk ka pasur komente. Ka shkruar veç Alfred Lela një gjë të shkurtër me titull “Ménage á trois” në blogun e vet, që më pas po ai e publikoi në “Mapo”, dhe dje, në të njëjtën gazetë, kish shkruar disa rreshta Gilman Bakalli. Ish një shkrim sarkastik me titull “Midis Hyrremit dhe Zhozit” (për ata që nuk e dinë, Hyrremi është sulltanesha, një personazh i filmit turk “Sulejmani i Madhërishëm”, që ndiqet në masë nga shqiptarët). Siç shihet, janë dy shkrime të natyrës parodike, gjë që don të thotë se askush nuk e ka marrë seriozisht Zhozin.
I vetmi që po e marr seriozisht jam unë. Dhe mendoj se duhet marrë seriozisht. Ajo është Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, tout court dinjitarja numër dy e shtetit shqiptar. Nuk është shenjë inteligjence, as vetëvlerësimi, të injorosh se çfarë thotë e çfarë bën një si ajo, që medemek “aq di, aq bën”. Me siguri, shumëkush ka pasur tundimin për të shkruar, por është frenuar nga ideja se “nuk ia vlen, të gjithë e njohin se kush është”. Por është pikërisht kjo arsyeja për të thënë, se të mos reagosh në një situatë të tillë – përsëris – nuk është shenjë inteligjence e vetëvlerësimi; përkundrazi, është shenjë dorëzimi.
Top Channel