Gjykata, burg pa afat vëllezërve Jaku

27/02/2013 00:00

Gjykata penale e Tiranës ka shpallur masën e sigurisë “arrest me burg” për Jak Jakun dhe Ndue Jakun, për akuzën e armëbajtjes dhe municioneve luftarake pa leje, si dhe për sasinë e drogës që u bllokua në banesën e tyre gjatë kontrolleve të policisë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt në kryeqytet.

Masa e sigurisë për Jak Jakun, i cili u kap nga policia greke së bashku me Arben Frrokun, është shpallur në mungesë, ndërkohë që për vëllain e tij, Ndue Jakun, masa është kërkuar në prani të tij.

Në fakt, për Jak Jakun pritej që kërkesa e prokurorisë të depozitohej prane Gjykatës së Krimeve të Rënda, por për mungesë provash, me sa duket organi i hetimit i është drejtuar gjykatës penale.

Kështu, nga akuza është kërkuar arrest me burg për praninë në shtëpinë e tij të një pushke tip snajper, 2 automatikëve, një pistolete, armëve të gjahut, si dhe një sasie lënde narkotike të llojeve kokainë, heroinë e marijuanë.

Ditën e martë Krimet e Rënda shpallën masën e sigurisë arrest me burg në mungesë edhe për Arben Frrokun, si i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Ndërkohë që organi hetimor është në pritje të përgjigjjes së laboratorit të kriminalistikës për armët e bllokuara tek familja Jaku.

Top Channel