Ferguson: Rotacionet, të mundura ndaj Realit

27/02/2013 19:25

“Në këtë moment, nuk kam asnjë formacion në mendje. Çdo futbollist mund të luajë ndaj Realit dhe me siguri mund të ketë rotacione, pasi kam një grup futbollistësh në gjendje që të ma lejojë këtë luks”.

Këto ishin fjalët e trajnerit të Manchester United, Sir Alex Ferguson, në një intervistë për televizionin e klubit nga Barcelona, ku asistoi në “Camp Nou” në klasiken e gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, (Barça-Real 1-3).

Në ndeshjen e parë, të përfunduar 1-1, 71-vjeçari la jashtë skuadre disa titullarë fiks të skuadrës, si Vidiç, Young apo Nani dhe në kthimin e “Old Trafford”, skocezi parashikon që mund të rikthehet të bëjë zgjedhje “të pazakonta”, në lidhje me formacionin bazë.

“Në vitin 1999, lashë Paul Scholes jashtë çerekfinales së Champions me Interin, edhe pse kishte shënuar gol në çerekfinalen e parë. E lashë jashtë edhe në gjysmëfinale, pasi si ai, ashtu edhe Roy Keane ishin me kartona dhe nuk mund të rrezikoja që të pezulloheshin të dy për finalen. Si e përjetoi Scholes atë moment? Nuk u prek, por vazhdoi të punonte, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të mirë që kanë veshur ndonjëherë fanelën e këtij klubi të madh”, komentoi Ferguson.

Megjithatë, formacioni ndaj Realit nuk mund të jetë edhe aq surprizë, sa është paralajmëruar prej Ferguson. Disa prej futbollistëve të ekipit, si 39-vjeçari Giggs dhe 34-vjeçari Ferdinand nuk janë në gjendje që të luajnë më shumë se një ndeshje në javë. Për këtë arsye, prania ose mungesa e tyre ndaj Norwichit, në fundjavë për kampionat, mund të tregojë shumë mbi faktin nëse do të luajnë apo jo.

Top Channel