Dështon kalimi i Carew tek Interi

27/02/2013 19:45

Dështon transferimi i John Carew tek Interi. Vetëm një ditë pasi u lajmërua përforcimi i klubit milanez me veteranin norvegjez, testimet mjekësore treguan se ai nuk ishte në gjendje fizike të përshtatshme për të luajtur.

34-vjeçari, i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur verën e 2012-s pas një sezoni në Angli me Uest Hamin, besonte se falë stërvitjes individuale që ai kishte realizuar, nuk do ta kishte probleme të kalonte testimet mjekësore.

Megjithatë, në një deklaratë, rreth orës 18:00, Interi informoi: “Falenderojmë ngrohtësisht John Carew për gatishmërinë e lartë dhe profesionalizmin e treguar. Për fat të keq, gjendja e tij fizike është e tillë, sa që ka nevojë për një punë specifike për t’u rikthyer në gjendjen optimale. Një fazë e tillë përgatitore do të kishte nevojë për një periudhë të mesme-të gjatë, diçka që nuk përputhet me nevojat dhe qëllimet direkte të klubit”.

Një mesazh i tillë do të thotë se zikaltërit vazhdojnë të kërkojnë një alternativë të përshtatshme për të kompensuar mungesën e Militos, golashënuesit të dëmtuar, edhe pse ka pak gjasa që pasardhësi i tij të gjendet brenda këtij sezoni.

Top Channel