F1, Domenicali i kënaqur me Ferrarin

26/02/2013 15:20

Shefi i skuderisë Ferrari, Stefano Domenicali, ka konfirmuar se në krahasim me një vit më parë, Ferrari ka ndryshuar shumë dhe ky ndryshim është për mirë.

“Jemi në një situatë krej tjetër në krahasim me një vit më parë në këtë periudhë. Kemi punuar mirë, por edhe kundërshtarët tanë e kanë bërë këtë gjë duke parë testimet e deritanishme”, deklaroi Domenicali për ‘Reuters’.

Gjithashtu, përgjegjësi i skuderisë italiane e ka të qartë objektivin e Kokëkuqes për sezonin e ri të Formulës 1 që do të nisë më 17 mars, në Melburn të Australisë.

“Duhet të jemi mes makinave më të mira dhe më pas do e kenë në dorë pilotët tanë për të bërë diferencën. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ruajmë qetësinë gjatë gjithë sezonit”, theksoi Domenicali, i cili nuk pret që Ferrari të jetë makina më e shpejtë që në garën e parë.

“Mendoj se do të jemi disa të dhjetat më të ngadaltë se makina më e shpejtë dhe duke u nisur nga kjo vonesë, duhet të punojmë për ta sheshuar diferencën me më të mirët”, u shpreh Domenicali.

Top Channel