“El Clasico”, shkëndija Mourinho-Roura

26/02/2013 03:20

Barcelona-Real Madrid po afrohet, ndërsa tensioni sa vjen e rritet. Shkëndija në distancë mes Jose Mourinho-s dhe Jordi Roura-s, ndihmësit të Tito Vilanova-s.

Zëvendës-trajneri i Barcelonës ka vënë nën presion gjyqtarin e ndeshjes, Undiano Mallenco: “Me të, shifrat e Barçës sa vijnë e përkeqësohen”. E menjëhershme ka qenë replika ironike e “Special One”: “Preferoj të kujtoj leksionet e sportivitetit, të marra nga Barcelona në të kaluarën…”.

Në një konferencë shtypi të improvizuar, “Mou” nuk ka dashur t’i lërë në hije fjalët e Roura-s. “Gjyqtari? Preferoj të kujtoj leksionet e sportivitetit, që kemi marrë nga Barça në të kaluarën, pasi ata mendojnë vetëm për futbollin, nuk flasin për arbitrat. Ata nuk e rrethojnë gjyqtarin në fushë, nuk simulojnë për të ndëshkuar kundërshtarët, ata mendojnë ekskluzivisht vetëm për të luajtur, gjë që mbi gjithçka tjetër e bëjnë shumë mirë”.

Një batutë ironike, e cila shkakton polemika në vigjilje të “El Clasico”-s së pestë të këtij sezoni. “Nuk kam vendosur se kush do të luajë. Zakonisht e di dhe nuk jua bëj të ditur, por sot nuk e di, – ka vazhduar “Special One”. – Këto janë ndeshje, ku duan të luajnë të gjithë, për këtë gjë jemi këtu”.

Ndërkohë, duke qenë se vjen nga humbja me Milanin dhe një ndeshje e vuajtur në La Liga së fundi, Jordi Roura hedh poshtë kritikat dhe shfaq optimizëm: “Do të jetë një ndeshje e komplikuar, por skuadra është e përqendruar. Çdo sfidë Barcelona-Real ka qenë intensive dhe e fortë, por ne jemi një skuadër që shkojmë gjithmonë në kërkim të futbollit sulmues. Gjithmonë në kërkim të fitores. Respektojmë gjithnjë kundërshtarët, por nuk i frikësohemi askujt. Këtu jemi të gjithë optimistë”.

Top Channel