Super kostoja e zgjedhjeve

25/02/2013 00:00

Dështon në KQZ miratimi i buxhetit për zgjedhjet e 23 qershorit. Shpërndarja e zërave sipas administratës së institucionit më të lartë zgjedhor ka hasur kundërshtimin e vetë anëtarëve të mazhorancës në KQZ.

Drejtoria e financave parashikon një kosto të deritanishme të proçesit të zgjedhjeve të 23 qershorit në vlerën 741 milionë lekë të reja, nga të cilat zërin e parë e përbëjnë pagesat dhe shpërblimet për komisionerët dhe stafin e kontraktuar për ditën e zgjedhjeve, në vlerën 277 milionë lekë.

Por në këtë zë, anëtarët kundërshtuan pagesa tejet të larta, si 25 mijë lekë të reja në ditë për ndihmës tekniket që do të bëjnë vetëm raportimin për pjesëmarrjen e votuesve në 23 qershor, apo dieta ditore për komisionerët përveç pagesës së tyre.

Në zërat e buxhetit u kundërshtuan gjithashtu shpenzimet për ato që cilësohen mallrat e konsumit, si dhomat e fshehta të votimit, apo pedanat për personat me aftësi të kufizuara, të cilat përdoren vetëm një herë në çdo palë zgjedhje.

“Ne s’kemi luskin të shpenzojmë për këto mallra miliona lekë për çdo palë zgjedhje, deklaroi anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj. Por ndarja e parave në KQZ është shtyrë për shkak të debatit mes kryetares së KQZ-së dhe drejtorit të komisioneve zgjedhore, ku ky i fundit nuk ka vënë firmën mbi ndarjen e buxhetit.

“Pse s’e keni firmosur? Keni bërë shumë mirë, sepse këtu është parashikuar fondi për fushatën. Ju duhet ta sillnit të planifikuar gjithë planin e fushatës, e cila duhet të kalohet para buxhetit”, deklaroi kryetarja Lefterie Lleshi.

Buxheti i zgjedhjeve të 23 qershorit llogaritet deri tani nga KQZ në vlerën 9 milionë lekë më pak se ai i zgjedhjeve lokale të 2011-ës, pavarësisht shtimit të ZAZ-ve.

Kjo, pasi është përgjysmuar kostoja e fletës së votimit duke qenë se ka vetëm një të tillë në këtë proçes. Por në totalin prej 741 milionë lekë të reja, nuk është përfshirë kostoja e teknologjisë së re që do të përdoret në këto zgjedhje në Fier dhe Tiranë, pasi nuk është mbyllur tenderi për to.

Kur shpenzimet e kushtueshme për teknologjinë t’i shtohen buxhetit të deritanishëm të zgjedhjeve, proçesi i 23 qershorit do të renditet si më i shtrenjti që Shqipëria ka zhvilluar.

Top Channel