Kadinjtë e Berishës dhe Stalinizmi i votës

25/02/2013 00:00

Arben Manaj – “Thembra e Akilit” apo “Hallka e dobët” e zgjedhjeve
historikisht të përvjedhura shqiptare, gjithmonë ka qenë minimi absolut i
konceptit dhe praktikës së ushtrimit të së drejtës së sovranit për të
mandatuar pushtetin e tij, tek ata që do duhet ta administrojnë atë
përmes llogaridhënies demokratike në interes të vendit.

Në çdo palë syresh, ka pasur risi dhe forma të reja të sofistikimit të mekanizmit të vjedhjes dhe mashtrimit, sa autentike shqiptare, aq edhe kopjime praktikash të njohura ndërkombëtare. E pandryshueshme ka qenë dëshira dhe nevoja për të deformuar vullnetet elektorale.

Në dekadën e fundit, prurja e re demokratikisht sterile në pamje të parë, është përfshirja në këtë lojë e kadinjve të pushtetit. Vjedhja apo tjetërsimi përmes proceseve të drejtësisë sa herë dhe jo për ironi, gjithmonë ka pasur kontestime rezultatesh të vjedhura edhe “live”, duket se nuk do t’i përkasë më vetëm një procesi zgjedhor.

Po të shikoni dhe lexoni mes rreshtave dhe me kujdes nëntekstin e deklarimeve të fundit të Kryeministrit, qoftë edhe në takime me emisarë të Perëndimit, është futja diku mes rreshtave e referimit tinëzar dhe me qitje të largët, që ai i bën pastërtisë së zgjedhjeve dhe respektimit të shtetit ligjor dhe ligjeve të vendit.

Apogjejtë e pushtetit në këtë pikë do të hidheshin përpjetë në emër të “parimësisë” dhe do të argumentonin se ç’të keqe ka një gjë e tillë!

Ashtu është në princip, s’ka asgjë të keqe dhe shyqyr që verbalisht, pranohet koncepti i zgjidhjes dhe arbitrimit institucional të sfidave dhe ankimimeve elektorale përmes rrugës ligjore dhe jo në forma të tjera të protestës demokratike.

Në rast se bëhet strucizimi i çështjes dhe e fusim kokën në rërë dhe lëmë trupin jashtë dhe njëkohësisht pretendojmë se jemi të fshehur, harrojmë që kemi lënë prapanicën në diell në fushën e argumentit. Nëse realisht do të pretendojmë se në kushtet konkrete të Shqipërisë së sotme, sistemi i drejtësisë është perfekt, i paanshëm, profesional dhe i pa-Sashenkizuar, ose do të jemi të pasinqertë, ose malinj në kundërargument.

Kadinjtë e Berishës ose pushtetit të tij, shqetësueshëm janë duke u shndërruar në mekanizmin permanent dhe promotorin shtesë të krizave të rënda politike të mospërfaqësimit dhe zhvullnetizimit elektoral në Shqipëri, një pushtet që del mbi kryepushtetin absolut, që është vota e patjetërsueshme e popullit dhe saktësia e hedhjes së saj në kutitë e votimit për t’u numëruar ashtu siç është shprehur.

Padyshim që drejtësia është vendi ku do duhet të zgjidhen këto transgresione elektorale, por kriteret e përzgjedhjes dhe mënyra se si emërohen këta kadinj të superpushtetshëm, për nga mandatet gjykuese për çështje kaq madhore, janë tejet të dyshimta, minimalisht.

Këto trupa gjyqësore dhe tërë sistemi ligjor me shtigje dhe kurthe të paramenduara hajdutësh profesionistë përbëjnë edhe në zgjedhjet e ardhshme potencialisht minat e këmbësorisë të shtruara në Vaterlonë e ardhshme politike.

Përdorimi i drejtësisë së instaluar nga pushtetet e pamerituara dhe të vjedhura, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende lindore të paintegruara dhe të çinteresuar për dhe në proceset europianizuese, si në Rusi, Bjellorusi apo Ukrainë, janë ende duke u përdorur, madje edhe më keq, siç është rasti i burgosjes tashmë politike të udhëheqëses së opozitës, zonjës Timoshenko, në emër të antikorrupsionit dhe funksionimit të shtetit ligjor dhe drejtësisë.

Ky sistem kadillar pati rolin e vet edhe në apelimet elektorale në Ukrainë, ndërkohë që Putini e ka shndërruar Rusinë në një shaka demokratike dhe parajse kleptokratike, pa folur për Llukashenkon që ende jeton në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik.

Stalinizimi i votës së shqiptarëve përmes parimit “nuk ka rëndësi sesi voton, por si numëron”, dhe në rastin konkret e shtyrë akoma më tej, kadijizimi i votës, që nuk ka rëndësi as si voton dhe as si numëron, por si vulos zyrtarisht keqnumërimin, mund t’i çojnë zgjedhjet e 23 qershorit dhe situatën postzgjedhore në të njëjtën déjà vu përplasjesh dhe kontestimesh, për shkak të minimit të papërgjegjshëm dhe të dënueshëm të vullnetit elektoral, në emër të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit të padeleguar.

Ai që është në pushtet normalisht që do tentojë çdo manovër dhe hapësirë për të fituar në tavolinën e kutive dhe tavolina të tjera, çdo betejë dhe votë që nuk është shënuar me penë për forcën e tij politike në fletëvotim, aq sa është normale që edhe atyre që do t’u cenohet dhe tjetërsohet kjo votë, të jenë në të njëjtin nivel sofistikimi për të mos u “out smart”-ur, apo për të mos ua hedhur sërish i përhershmi delikuent elektoral.

Nëse pushteti do arrijë të çojë rezultatin në fotofinish, kadinjtë e Berishës, pa as më të voglin dyshim, nuk do habisin, siç nuk kanë habitur me vendimet e fundit të megaproceseve për megaskandalet dhe vrasjet në bulevard. Kjo është kryesfida e opozitës dhe e Shqipërisë në prag statusi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA