Andrea Stefani – Ndërsa në Sofje, Kryeministri Borisov dha dorëheqjen
duke arsyetuar se nuk mund të qëndronte në krye të qeverisë, kur policia
rreh qytetarë protestues, në Tiranë, Kryeministri Berisha vazhdon të
mburrë si akt patriotik vrasjen, para zyrës së tij, të 4 protestuesve të
opozitës dhe plagosjen e nja 30 të tjerëve.
Në Sofje rrahja e protestuesve nga policia është një sakrilegj. Në Tiranë vrasja e protestuesve nuk është një krim. Në Sofje kërbaçi mbi protestuesit është një turp që Kryeministri nuk e duron. Në Tiranë derdhja e plumbave mbi protestuesit janë një heroizëm që Kryeministri i përgëzon. Në Sofje Borisov largohet nga pushteti se nuk do të vrasë. Në Tiranë Berisha vret se nuk do të largohet nga pushteti. Por mbi të gjitha këto konsiderata, mbi të gjitha ekspertizat apo “rikoshetat”, këmbëngul një enigmë që sprovon logjikën: Përse i vrau? Dhe analiza e fakteve zbulon metastazat e një skenari nazisto-komunist që, i zbatuar nga Kryeministri më 21 janar, tentoi kriminalizimin dhe ndëshkimin e opozitës politike.
***
Përse i vrau? Përgjigjja më e përgjithshme, pra dhe më thelbësore është, për pushtet! Dhe pas 23 vjet tranzicion askush nuk mund të dyshojë se Sali Berisha lakmon pushtet absolut, të përjetshëm. Edhe mbështetësit e tij nuk mund ta mohojnë këtë. Madje prandaj e mbështesin. Një solidaritet që bie ndesh me cilësimin “demokrat” që ata mbajnë, si edhe me rotacionin tipik për demokracinë. Por nuk është e para herë që emërtimet ndahen nga përmbajtja, fjala nga vepra, nami nga vetë njeriu. Dhe nuk është e para herë që Berisha pozicionon njerëz për të vrarë njerëz në emër të pushtetit. E ka bërë edhe në vitin 1997, kur çoi vendin drejt një konflikti civil. Edhe në vitin 1998, kur ndërseu paramilitarë të armatosur në një sulm mbi Kryeministri dhe pushtoi TVSH. Por vrasjet e 21 janarit janë produkt i një intrige edhe më të hollë të diabolizmit në pushtet.
***
Përse i vrau? Ka opinione që pretendojnë se Berisha vrau që t’i jepte një mësim opozitës që të mos protestonte më. Teza bie po të kemi parasysh se Berisha duroi gjakftohtë dhe për një kohë të gjatë, jo vetëm protesta, por edhe një grevë urie të opozitës. Berisha kish deklaruar publikisht se e drejta demokratike e protestës do të mbrohej. Berisha e dinte se shtypja me gjak e protestave apo demonstratave është politikisht kundërproduktive. Natyrisht askush në qeveri nuk ka qejf të shohë protestues para penxheres së tij. Sepse dihet që protestat rrisin, pak nga pak, ortekun e pakënaqësisë. Por është gabim t’i vrasësh. Protestat duhet t’i asfiksosh. Si të gjithë autokratët Berisha i di që protestat është më mirë t’i asfiksosh. Atëherë përse vrau në 21 janar?
***
Në nisje të karrierës së tij, gjeneral Bonaparti asgjësoi me top një protestë të ruajalistëve kundër Direktoratit. Me ca goditje direkte topash mbi turmë u vranë nja 300 protestues dhe demonstrata mori fund. Bonaparti u justifikua për këtë masakër, duke shpjeguar se nëse nuk do të kish qëlluar që në fillim në mish, turma do të kish marrë një guxim që do të mund të përballej vetëm duke vrarë shumë më tepër protestues. Donte të thoshte se vrau për të shpëtuar jetë! Mos vallë Berisha ka arsyetuar si Bonaparti? Dinamika e protestës nuk do ta mbështeste. Sepse nuk patëm një vërshim turme që, si një lumë i dalë nga shtrati, përlan përpara gjithçka. Të gjithë e panë se edhe pjesa më aktive e protestuesve, ata që u përleshën duke qëlluar me gurë e shkopinj mbi policinë, kur kjo e fundit u tërhoq, u ndalën te kangjellat e Kryeministrisë. Askush nuk perceptoi rrezikun se masa e njerëzve do të derdhej mbi Kryeministri. Edhe kur u shpërthye dera e hekurt e oborrit, dy a tre protestues që bënë pak hapa brenda tij u tërhoqën sakaq. Nëse vërtet gardistët apo vetë Berisha do të kishin qenë nën ankthin e parandalimi të ndonjë vërshimi të turmës, të vrarët do të ishin nga ata protestuesit që shkelën në oborr. Por çuditërisht vrasjet ndodhën në momentin kur demonstrata nuk ishte në vërshim, por në zbaticë! Dhe të vrarët janë qartazi larg oborrit. Ata nuk kërcënonin as jetën e gardistëve dhe aq më pak atë të Berishës. Atëherë përse i vrau?
***
I vrau si pjesë e një skenari të ngjashëm me atë të bombave në Ambasadën Sovjetike, që Enver Hoxha e zbatoi për të përligjur asgjësimin e opozitës politike, apo me djegien e Rajhshtagut që Hitleri e përdori për të asgjësuar opozitën në Gjermani. Kushdo politikan që aspiron pushtet pa fund, ëndërron si ta kriminalizojë opozitën për ta asgjësuar në emër të popullit apo Atdheut! Opozita duhej të kryente një krim të ndëshkueshëm me ligj. Dhe ky krim do të qe “vrasja” e ca protestuesve nga vetë ajo. Berisha vrau në mënyrë që të akuzonte opozitën që vrau! Ky fill logjik lidh dhe shpjegon zinxhirin e fakteve e ngjarjeve. Shpjegon se përse Kryeministri Berisha akuzoi publikisht opozitën për vrasjen e protestuesve me thika me helm apo me çadra pistoletë. Shpjegon se përse ai deklaroi se kishin të dhëna të sigurta për inkriminimin e opozitës, të dhëna që më pas u tretën si kripa në ujë. Logjika e skenarit komunisto-naziskin shpjegon se përse një mjek i Spitalit Ushtarak deklaroi se të vrarët kanë marrë goditje me plumb nga aq afër sa duken edhe gjurmët e barutit në plagët e tyre. Koha dhe ekspertiza provoi se të gjitha këto ishin gënjeshtra. Çudi është se askush nuk e hetoi këtë mjek për të zbuluar se përse mashtroi publikun. Por është fakt se gënjeshtrat e tij qenë në sinkron me deklaratat e Berishës. Dhe vetëm kaq mjafton për të zbuluar fillin e skenarit kriminal: Berisha vrau që të akuzonte opozitën se vrau! Berisha vrau jashtë gardhit, sepse opozita ishte jashtë gardhit. Berisha nxitoi të vriste, ndërsa protestuesit largoheshin, sepse pa ca të vrarë nuk mund të lante hesapet me opozitën duke e akuzuar për vrasje. Në Bullgari, Borisov e quan të pamoralshme të qëndrojë në krye të qeverisë kur policia rreh. Berisha e quan legjitime të qeverisë edhe kur Garda vret. “Vrava që të mbroj pushtetin”, thotë ai. Por a nuk i quante edhe diktatori Hoxha legjitime vrasjet për mbrojtjen e pushtetit? Prandaj kush voton Berishën, voton një pushtet kriminal, një pushtet që vret.
Top Channel