Banorët e “Big Brother 6”

25/02/2013 17:20

Sezoni i 6 i “Big Brother Albania” mes shumë suprizave dhe spektaklit, mund të konsiderohet një “reality” i mbushur me “Agjentë 007”.

Çdo banor ka një sekret dhe lufta nuk bëhet vetëm për ta mbrojtur atë, por edhe për të zbuluar sekretin e konkurrentëve të tjerë. Misione dhe lojra të cilat priten të zbulohen në javët në vazhdim.

Por, cilat janë sekretet më interesante. Një vegjetarian që s’dihet se sa kohë nuk do kuptohet se është i tillë.

Dikush që ka 100 palë këpucë po s’dihet sa ka marrë me vete në shtëpinë e “Big Brother”. Një person talasemik e një tjetër që do realizojë një ndërhyrje kirurgjikale gjatë qëndrimit të “Big Brother”.

Grindjet familjare kanë detyruar dikë që prej 13 muajsh të mos flasë me babain dhe dikush tjetër për të fituar para ka punuar zhigolo. Njëri e konsideron sekret në këtë lojë tifozllëkun që ka për Realin e Madridit e dikush tjetër se është i martuar.

Por, përveç sekreteve ka edhe misione. Në këtë pjesë më interesanti është misioni i dy vëllezërve binjakë identikë nga Peja që duhet të zëvendësojnë herë pas here me njëri-tjetrin pa u kuptuar nga banorët e tjerë.

Por, cilët janë persoanzhet e këtij viti në Big Brother? Në një shtëpi fantastike nuk mund të mungonte një arkitekt për t’u kujdesur që dekori të jetë gjthmonë në rregull. E për këtë është Iliri, 27 vjecari që jeton në Firence. E nëse ndonjëri do ketë nevojë për ilaçe, farmaciste Joana është aty.

Nga qyteti i dashurisë, Parisi, vjen një stiliste e cila do të ndihmojë banorët për t’u veshur gjithmonë bukur.

Bëhet fjalë për Elonën e cila ka punuar për shtëpi mode mjaft të njohura. Mishërimi i agjentit sekret do të jetë për vëllezërit nga Peja, Blendin dhe Andin të cilët gjatë qëndrimit në shtëpi do të jenë një person i vetëm.

Nëse ndonjëri nga banorët dëshiron të hapë një biznes, Olseni që jeton në Athinë vjen me shumë energji dhe fantazi.

Ajo në të ardhmen dëshiron të jetë një sociologe dhe ndoshta qëndrimin në “Big Brother” mund ta ketë edhe ndonjë element studimi, është fjala për Etlevën që vjen nga Miloti.

Kushdo që do ketë nevojë për ndihmë, Arsimi është aty. Puna në një organizatë humanitare e ka bërë edhe më social. Ata që duan të bëjnë foto po ashtu mund t’i drejtohen atij.

Altina nga Gjakova është diplomuar për aktrim dhe për të shtëpia e “Big Brother” do të jetë si një shesh xhirimi me kamera në të gjitha anët.

Marselinon nga Berati gjatë qëndrimit në shtëpi më shumë se për çdo gjë do ta marrë malli për fëmijën e tij.

Ka studiuar gjermanisht, punon në një agjenci udhëtimi e ndërkohë vazhdon studimet për infermieri, kjo është Eldora nga Tirana.

Pasi të keni prerë biletën për udhëtim tek Eldora, ciceroni për qytetet e Europës është Xhimi. 44-vjeçari ka shëtitur dhe jetuar në shumë vende të kontinentit.

Më e vogla e shtëpisë do kalojë gjithë kohën duke u parë në pasqyrë, ky është vesi i Elenës 18-vjeçare.  Një gazetar aventurir, ky mund të ishte përcaktimi për Anaidin nga Tirana.

Anglia nuk i ka punët mirë me ekonominë, por një e diplomuar për biznes në Londër është pjesë e shtëpisë së Big Brother. Është Olta me origjinë nga Burreli.

Për dhëmbët e banorëve do të kujdeset Jonlida, e cila punon laborante dentare ne Parma. Një biznesmen i zoti është 30-vjeçari që vjen nga Prishtina, Shpendi. Mes gjithë këtyre personazhesh, ç’mund të themi përveç se “fitoftë më i miri”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA