“Kur kundërshtari është i trullosur, duhet “vrarë”. Ne nuk e bëmë këtë.”
Kështu e përmbledh Allegri ndeshjen që Milani i tij barazoi 1-1 kundër Interit pasi humbi shumë raste në pjesën e parë për të thelluar avantazhin.
“Jam i kënaqur me atë që tregoi skuadra, sidomos në pjesën e parë ku patëm shumë raste shënimi dhe nuk i lejuam Interit asnjë rast. Në pjesën e dytë djemtë ishin të lodhur dhe duhet të kishim zotëruar më mirë topin”, deklaroi trajneri i kuqezinjve pas derbit.
“Jemi një ekip i ri dhe gjërat që duken të lehta, ende kemi vështirësi për t’i bërë”, shtoi Allegri duke iu referuar menaxhimit të lojës që ekipi i tij nuk arriti ta bënte në pjesën e dytë.
“Në ndeshje të tilla duhet të shfrytëzosh rastet që krijon sepse nuk mund të presësh të krijosh raste për 90 minuta. Duhet ta mbyllnim ndeshjen në pjesën e parë. Gjithsesi, duhet të jemi të kënaqur me pikën sepse luanim në fushën e Interit. Ata kishin detyrimin për të fituar ndeshjen dhe jo ne”, përfundoi trajneri italian.
Top Channel