Kakà: Jam mirë dhe në dispozicion të trajnerit

24/02/2013 14:50

Ndaj Deportivo la Coruna-s ishte ndeshja e tretë radhazi si titullar në La Liga: shënoi një gol, dha një asist dhe i shtoi shumë klas ndeshjes së të shtunës.

Kakà po kalon një moment të mirë, pas atyre momenteve të errëta dhe një “lamtumire” në prag ndaj Realit të Madridit, vetëm pak javë më parë.

“Jam duke u përmirësuar, gjërat po ecin mirë”, tha braziliani. “Trajneri ka nevojë për mua, ndaj dhe jam i gatshëm. Dua të bëj më të mirën dhe të jap kontributin tim, në këtë pjesë tepër të rëndësishme të sezonit”.

Ndërkohë, për trajnerin Jose Mourinho vijnë lajme të mira. “Rruga Jose Mourinho” pritet të jetë një dhuratë, që po përgatitet nga Setubali, për qytetarin e saj më të famshëm.

Bashkia ka në program emërimin e një rruge të qytetit portugez me emrin e një prej njerëzve më të shquar të këtij vendi. Në javët në vijim do të votohet propozimi, por përgjigja pozitive “po”, duket më se e arritshme.

Ndërkohë, do të inaugurohet edhe një muze me versionet kopje të të gjithë trofeve të fituar nga Mourinho, dhe disa sende personale, si palltoja me të cilën ka mposhtur Manchester United në Champions League, me ekipin e Portos në sezonin 2003-04.

Top Channel