Akrobacitë elektorale

24/02/2013 12:35

Fatos Baxhaku – Shumë gjëra i merrnim me mend në këtë pragfushate elektorale. Të mësuar tashmë në këta 22 vjet, e dinim se partitë do të luanin më të mirin e mundshëm. Asgjë për t’u habitur. Këto janë rregullat e lojës në demokraci.

E dinim edhe se suksesi i njërit do të luhej mbi dështimet e tjetrit. Edhe këtu asgjë për t’u habitur. Kjo është demokracia e kështu funksion ngado në këtë mijëvjeçar. E prisnim gjithashtu që, propaganda zgjedhore, ndonëse fushata zyrtarisht ende nuk ka nisur, do të bazohej mbi “parajsën” që quhet Shqipëri, e cila merituaka më shumë sesa ka arritur nëse nuk qeveriset nga kundërshtari. Krejt normale.

E ndienim gjithashtu se një parti që mbetet shumë në pushtet ka gjasë që të gërmohet nga brenda, nga mizoria e të vegjëlve, të mëdhenjve makutë, që sapo kalon një farë kohe, i harrojnë idealet (nëse i kanë pasur ndonjëherë) të cilat i kanë sjellë në pushtet dhe bëhen pjesë e një loje, të cilën nuk mund ta kontrollojnë më, përveçse duke pështyrë mbi të tjerët dhe duke lartësuar veten. E dinim fort mirë se fushatat zgjedhore mbështeten mbi premtime, ani pse nuk mbahen, në të shumtën e rasteve. Kjo është pjesë e një loje që edhe na përket edhe nuk na përket. E dinim fort mirë se propaganda që synon të të bëjë të besosh në të ardhmen është një mjet i kudopërdorur, jo vetëm te ne. Me pak fjalë e dinim se ne, votuesit e thjeshtë, jemi një masë më vete, që kemi përballë një masë tjetër, më të vogël, por shumë herë më aktive e më domethënëse që quhet politikë. Propaganda është një art më vete. Partitë tona kryesore e kanë luajtur fort mirë rolin e tyre në këtë fushë. Porse diku është tepruar. Nga njëra palë më shumë sesa te tjetra.

Le t’i marrim me radhë. Opozita është ku e ku më para në garën elektorale sesa historikja Parti Demokratike, e cila duket sikur nuk është më. Janë figurat e saj kryesore, Berisha, Topalli, Bode, Patozi, por të tjerët se ku janë strukur duke ia lënë në dorë të gjithë punën zgjedhore qeverisë. Me sa duket kjo ka qenë edhe rezultat i rolit të Berishës së kudondodhur, që jep përgjigje mbi çdo gjë e mbi këdo. Partia historike PD duket se nuk ekziston më. Ajo është shumë mbrapa në krahasim me kundërshtarët e saj historikë. Thelbi i propagandës së saj elektorale është anëtarësia në NATO, lëvizja e lirë e shqiptarëve në një pjesë të konsiderueshme të Europës, rrugët dhe interneti, a thua se kjo do ta përmirësojë jetesën e dhjetëra mijëra të papunëve që mezi mbahen në këmbë. Ka një lloj vetëbesimi të tepruar, një lloj sigurie që nuk dihet nga buron, përveçse nga qëndrueshmëria prej kreshniku e të parit të tyre. Një veti e mrekullueshme njerëzore, por a mjafton kjo? Apo do të vazhdojmë të besojmë atë thënien e njohur se në politikë një gram shtirje vlen më shumë sesa një kilogram fakt?

Nga ana tjetër, kemi Edi Ramën me njerëzit e tij. Ky duket se e ka kuptuar fort mirë formulën amerikane sipas së cilës: Çdo premtim kuptohet nga zgjedhësit ndryshe nga ajo që ke ti në mendje. Konventa socialiste, që edhe dje ka diskutuar programin elektoral, është parathënia e parajsës vetë. Thuajse çdo gjë, që nga shkollat, shëndetësia, dhuna ndaj grave, korrupsioni, bizneset, more po çdo gjë do të nisë të përmirësohet brenda 100 ditëve të qeverisjes socialiste nëse kjo ndodh vërtet. Në program thuajse çdo fjali nis me togfjalëshin “do të bëjmë…”, porse nuk thuhet se si. Mund të duket si çudi, por të dyja palët e mëdha, sipas mënyrës së tyre, na konsiderojnë, ne votuesve të thjeshtë, si njerëz që mund ta hamë kollaj sapunin për djathë. Nuk kanë faj. Këtë ua kemi provuar ne vetë atyre.

Me pak fjalë, në këtë lloj cirku zgjedhor, ka shumë mjeshtër, njerëz me lot në sy që qajnë në familjet e policëve të vrarë, po njësoj sikur qajnë në familjet e viktimave të vrara nga policët. Kjo është krejt në rregull. Kjo është drama e tyre, ku janë vetë regjisorë dhe vetë aktorë.

Puna është te shikuesit e kësaj drame. Dhe këta jemi vetë ne.

Meqë ra fjala te ne votuesit, në këtë cirk ne jemi akrobatët më të mëdhenj. Të gjithë e dimë se premtimet elektorale janë ku e ku të arritshme. Të gjithë e dimë normën e lartë të propagandës fiktive që mbizotëron në këto kohëra. Dhe megjithatë jemi të prirur për t’i besuar njërit apo tjetrit. Vota është një peshë shumë e madhe. Tekefundit njërin syresh duhet të zgjedhim. Ndokush e hedh vetëm për të ruajtur vendin e tij të punës, ndonëse mendon ndryshe. Ndokush tjetër vetëm për historitë e tij personale. Shumë e më shumë të tjerë, e hedhin me idenë: Pa ta provojmë një herë këtë tjetrin. Nuk është se nuk e dimë se në demagogjinë elektorale ka një dozë të madhe të pavërtetë, nuk është se nuk e dimë se loja e politikës jo gjithnjë është në interes të popullit të thjeshtë. Instinktivisht i dimë të gjithë. Por, megjithatë kemi qejf të shikojmë aktorin e preferuar në skenën e politikës, kemi dëshirë thuajse prej tifozi futbolli që të shohim edhe njëherë përballjen mes dy të mëdhenjve. Në qetësinë tonë të vogël miklohemi prej ëndrrave që na japin të mëdhenjtë dhe kështu nisim të ëndërrojmë për një të ardhme më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë. Nuk jemi të vetmit, kështu ndodh kudo, porse ndryshe nga vende të tjera më të kulturuara, në vend që të bëjmë presion në radhë të parë mbi të besuarit tanë, ne, sipas një tradite të njohur anadollake, ia kemi besuar ëndrrat tona njërit apo tjetrit. Kjo na dallon nga të tjerët. Le të çirremi sa të duam se jemi një hap afër Europës.

Punët po duken sheshit. PS është shumë hapa para në garën zgjedhore. PD nuk duket askund, me përjashtim të Berishës vetë, Topallit apo ndonjë tjetri. Pastaj, nevoja për ndryshim, “Gërdeci”, “21 Janari”, aferat korruptive, nacionalizmi, të gjitha këto duket sikur favorizojnë opozitën. Vetëm se kjo nuk duhet të harrojë, qoftë edhe në hartimin e programit të saj, se nëse arrin t’i fitojë zgjedhjet, kjo nuk ka ardhur aq për meritë të saj sesa për gabimet e rënda të palës tjetër. Nëse beson se do fitojë vetëm duke bërë propagandë, atëherë nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të imitojë kundërshtarin e saj më të madh të tanishëm.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA