SHBA, Armstrong paditet edhe nga qeveria

23/02/2013 03:30

Qeveria amerikane është bashkuar në një cështje gjyqësore ndaj Lance Armstrong, pasi bisedimet me avokatët e tij dështuan.

Në padi argumentohet se Armstrong mashtroi publikun amerikan, duke këmbëngulur se nuk kishte përdorur substanca të palejuara, ndërkohë që ushtronte profesionin e çiklistit për ekipin e Shërbimit Postar Amerikan (UPS), që mbahet me fonde publike.

Muajin e kaluar, Armstrong pranoi se kishte përdorur substanca droge që nxisin rritjen e performancës, gjatë të gjitha tureve të Francës, të fituar prej tij.

Padia, e dorëzuar nga ish-shoku i tij i ekipit, Floyd Landis, synon të rikuperojë paratë e sponsorave nga Armstrongu.

“Lance Armstrong dhe ekipi i tij i çiklizmit ka marrë më shumë se 30 milionë dollarë nga Shërbimi Postar Amerikan, bazuar në premtimet kontraktuale se do të luante me ndershmëri dhe në respekt të rregullave, përfshi edhe atë kundër dopingut”, tha Ronald C. Machen, prokuror i District of Columbia.

“Shërbimi Postar ka mësuar tashmë se paratë sponsorizuese janë lidhur me padrejtësi sportive, nga ato që janë përshkruar si “programi i dopingut më i sofistikuar, më profesional dhe më i suksesshëm që sporti ka parë ndonjëherë”.

“Kjo padi është ngritur për të ndihmuar Shërbimin Postar të rikuperojë dhjetra miliona dollarë, që pagoi dikur, bazuar mbi premtimet e shkelura. Në klimën e sotme ekonomike, Shërbimi Postar nuk është në pozita për të lejuar Lance Armstrong apo ndonjë tjetër nga të pandehurit, të largohen me dhjetra miliona dollarë të prokuruara ilegalisht”.

Top Channel