Kemi një problem demokracie, zoti Riker!

23/02/2013 00:00

Skender Minxhozi – Skeptikët patën dhe një herë të drejtë. Vizita
dyditore në Tiranë e zv.ndihmëssekretarit të Shtetit, Filip Riker, pati
të bënte shumë me fantazmën e nacionalizmit shqiptar dhe më pak me
pjesën tjetër të dosjes së krizave në të cilat ndodhet sot ky vend.

Riker harxhoi një pjesë të mirë të orëve që i kishte rezervuar qëndrimit në Tiranë, për të zbutur atë që Uashingtoni e sheh si një rizgjim të ndjenjave nacionaliste në skenën politike shqiptare, duke i rezervuar këtij kapitulli një artikulim të gjatë e të hollësishëm publik. Ai bëri kësisoj gabimin që pritej: ra në kurthin e retorikës boshe nacionaliste, me të cilën Berisha, Spahiu, Idrizi e të tjerë si ata, luajnë çdo ditë “luftash” nëpër cepat e Tiranës e të Shqipërisë. Natyrisht, pa i pasur seriozisht as edhe një moment të vetëm, ato që thonë.

Çdo mision i një zyrtari të lartë të SHBA shihet me interes nga opinioni publik shqiptar. Në kontekstin e afrimit të zgjedhjeve, përplasjes së fortë mes ambasadës amerikane dhe qeverisë për vendimin e 21 janarit dhe frymës folklorike me nacionalizmin, kjo vizitë pritej me një interes edhe më të madh. Por edhe një herë, kjo vizitë e zyrtarit amerikan, e ky është një fenomen i rëndomtë i viteve të fundit, u fokusua në objektiva që e rrokin vetëm përciptazi krizën e brendshme që kalon Shqipëria. E që është fund e krye një krizë demokracie, e jo një emergjencë “afshesh” nacionaliste të çfarëdollojshme.

Natyrisht që Filip Riker e ka ditur, fjala vjen, se më 4 dhjetor të vitit të shkuar, i ulur në poltronin e Ismail Qemalit në Vlorë, kryeministri Berisha premtonte solemnisht para ministrave që mbanin shënim, hartimin “brenda javës” të projektligjit për dhënien e shtetësisë shqiptare, për të gjithë atë që konsiderohen si të tillë, në të gjitha shtetet e Ballkanit. Riker ka mësuar më pas edhe sesi kjo flakë kashte është shuar dhe sesi Berisha e ka harruar tërësisht këtë premtim të rëndë. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit ka pasur mundësinë, si personi i specializuar në dinamikat e rajonit dhe të vendit tonë, që të informohet rreth kurbës thellësisht hipokrite që ka ndjekur nacionalizmi “zyrtar” shqiptar në javët dhe muajt e fundit, nga albanofobia e Mynihut, deri tek fakti gjysmë qesharak, që një memo “pa kokë dhe pa vulë” e detyroi kreun e qeverisë shqiptare që ta ndjekë nga “Facebook”-u 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, e jo nga podiumet e Prishtinës.

Megjithatë Filip Riker ka ardhur e është investuar para opinionit publik në Tiranë kryesisht për të demaskuar gjoja-nacionalizmin elektoral të Berishës dhe krerëve të tjerë politikë të Tiranës, apo edhe Prishtinës e Tetovës. Si të thuash, ka zgjedhur me koshiencë të plotë temën më pak të qenësishme, ndër shumë probleme therëse që kanë sot së brendshmi Shqipëria dhe shqiptarët. Në fakt kjo është një linjë e vjetër qëndrimi e SHBA-ve ndaj vendit tonë dhe më gjerësisht ndaj rajonit ku ndodhemi. Pra, është një qasje që sheh më shumë nga vendi ynë, si pjesë e mozaikut rajonal, sesa nga zhvillimet tona të brendshme. Me fjalë të tjera, në sytë e amerikanëve, stabiliteti në rrafshin rajonal, vlen më shumë sesa standardet demokratike që aplikojmë në shtëpinë tonë. Këtë vizion nuk e ndryshon aspak fakti që kapaciteti stabilizues i një vendi të brishtë si Shqipëria, lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me standardet demokratike të brendshme që aplikon. Për shembull, vala e rrejshme e nacionalizmës shqiptare, përkon ekzaktësisht me llogaritë elektorale të klasës politike shqiptare, në prag të zgjedhjeve të qershorit. Në një ambient me rregulla loje, ky truk do të ishte përdorur në mënyrë shumë më elegante. Aq sa Riker dhe diplomatë të tjerë perëndimorë nuk do të kishin fare nevojë të trazoheshin, për të kritikuar diçka që de facto nuk ekziston fare!

Riker u mjaftua t’i zgjasë një dorë ambasadorit Arvizu, i cili është vënë nën sulme të ashpra të qeverisë në ditët e fundit. Morëm vesh formalisht për shembull, se Arvizu është përfaqësuesi zyrtar i SHBA në Shqipëri, e jo Podesta. Si të thuash fjala vjen, se java ka shtatë ditë! Por Riker nuk u shty (të paktën publikisht) përtej përcaktimeve të deklaratës së ambasadës amerikane, sa i përket vendimit të 21 janarit, i cili ka formën e një shuplake të vogël ndaj angazhimit amerikan për të identifikuar përgjegjësit. Ashtu siç u kufizua të mos insistojë me mesazhe të forta, për zgjedhjet e 23 qershorit. Megjithëse paraardhësi i tij, Tomas Kauntrimen, pati deklaruar të nesërmen e shpalljes së rezultatit të Tiranës, se “rregullat e lojës u ndryshuan pasi kishte mbaruar loja”. Megjithëse vetë zgjedhjet janë sot sfida e vërtetë e demokracisë, që ky vend e ka kaq të vështirë ta kalojë prej dy dekadash.

Ka qenë pra një vizitë, e cila e ka trajtuar problemin shqiptar, si një sfidë stabiliteti ballkanik, e jo si një ngërç njëzetvjeçar demokracie. Një vizion normal për një fuqi globale, por gjithsesi i pamjaftueshëm për sytë dhe veshët e shumë shqiptarëve, që ende vijojnë të presin asin e radhës, nga mënga amerikane.

Ndoshta s’duhej pritur më tepër nga një zyrtar që, siç e tha dhe vetë, kishte ardhur në Tiranë, sepse kishte vendosur që t’i shkelte dy herë në vit vendet që mbulonte. Me fjalë të tjera, një vizitë burokratike, në një moment jo fort burokratik. Për ne, jo për Uashingtonin. Aty zgjedhjet u mbajtën në nëntor…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA