“Fushatë” diplomatike në pikun e fushatës

22/02/2013 00:00

Aleksander Cipa – Situata e një axhende vizitash diplomatike nga BE dhe
SHBA në Tiranën e ditëve të këtij shkurti elektoral, është plotësisht e
përngjashme me atë të vitit 2005 në muajt e fundit të qeverisjes së
ish-kryeministrit parti-humbur Fatos Nano.

Vizita e zv.ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Filip Riker, në kuptimin e parë të saj është e papritur dhe pason filltazi rritjen e kritikave publike të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, zotit Aleksandër Arvizu, sidomos kritikën e hapur të tij për vendimin e Gjykatës së Tiranës, sipas të cilit u jepet pafajësi të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit në Tiranën e vitit 2011, ndër të cilët edhe titullari i Gardës Republikane. Kjo deklaratë në thelbin e vet shprehte “stop”-in amerikan për kapjen politike të gjyqësorit shqiptar. Ardhja e zotit Riker në Tiranë, vjen menjëherë pas një letre me shqetësime që Departamenti i Shtetit i ka përcjellë qeverisë së kryeministrit Berisha dhe e cila, në pasazhe të veçanta, është bërë e ditur informalisht për publikun shqiptar. Por në kontekstin paraprirës të kësaj vizite përfshihen edhe shqetësimet e komentuara nga diplomatë të rëndësishëm në Bruksel dhe në SHBA për tonet nacionaliste të kryeministrit Berisha që ndonëse është në muajt e fundit të mbylljes së mandatit të dytë qeverisës në degradim, pretendon edhe të tretin. Pjesë e axhendës së rëndësishme të vizitave diplomatike në Tiranë është edhe vizita e paralajmëruar e ministrit të Jashtëm gjerman Vestervele, i cili natyrisht që në qëllimin e vet udhëtues përfshin edhe çështje të interesit ekonomik gjerman përveç preokupimit për procesin integrues dhe aspekte të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe vendeve të Ballkanit.

Në shumicën e komenteve të përcjella zyrtarisht nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të rajonit dhe vendeve të BE-së, deklaratat kryeministrore në Shqipëri për bashkimin kombëtar në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, përmblidhet shqetësimi për një nacionalizëm zyrtar shqiptar. Ky reagim ka përfshirë edhe vende të cilat janë larg ndikimit rajonal, siç është për shembull Sllovakia, ministri i Jashtëm Mirosllav Lajçak i së cilës, (ish i dërguari i Posaçëm i Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherin Ashton, pas ngjarjeve të 21 janarit), shprehet se: “Ne e dimë se ku kanë çuar deklaratat e tilla në atë territor dhe nuk duhet vetëm të vëzhgojmë. Sigurisht që do të ketë edhe deklarata zyrtare nga Bashkimi Europian për këtë çështje”. Ndërkohë që kryeministri Berisha këtij interpretimi i ka ofruar konstatimin e albanofobisë që ekziston në Europë dhe sidomos në vendet fqinje me Shqipërinë. Natyrisht që justifikimi kryeministror mesa duket, nuk mjafton për të sfumuar apo ulur zhurmën e vetëshkaktuar nacionaliste në kohë elektorale. Ditët fushateske në vend, të cilat po i afrohen pikut, në të vërtetë po zbulojnë edhe një brendi tjetër rreziku në zhvillimet politike shqiptare. Opozita, përmes udhëtimit në Bruksel gjatë ditëve të fundit të kryesuesit të saj Edi Rama, ka zyrtarizuar alarmin e vet për rrezikun manipulues të zgjedhjeve. Në kontaktet e shumta diplomatike të saj, po jepen të dhëna për strategjinë dhe procedimin e fshehtë infrastrukturor, për vjedhjen e zgjedhjeve dhe për zbatim të skemës së mashtrimit. Në këtë reagim, fjalimi i djeshëm i ambasadorit të Britanisë së Madhe në vendin tonë Nikolas Kanon është tejet befasues dhe si kurrë ndonjëherë, ndonjë diplomat i huaj në Tiranë, më i adresuar për përgjegjësinë zgjedhore. Ambasadori pohoi dje: “Në çdo demokraci, ka pretekste apo paqartësi në sistem. Në mënyrë të pashmangshme, partitë politike i shfrytëzojnë ato në kufi absolut me shpresën e avantazhit politik. Kjo gjithmonë çon në armiqësi midis partive politike. Shpesh duket keq tek publiku, dhe mund të jetë joetike në parim. Por nëse qëndron brenda ligjit, nuk i bën të pavlefshme zgjedhjet demokratike. Nga ana tjetër, kemi mashtrimin e pastër zgjedhor. Një individ, i cili qëllimisht kryen mashtrime me zgjedhjet është një kriminel. Një individ i cili organizon përmbysje të vullnetit demokratik të popullit përmes mashtrimeve zgjedhore është një tradhtar i vendit të tij”.

Natyrisht shqetësimi s’ka lidhje vetëm me zgjedhjet si proces dhe rrezikut që i ofrohet integritetit të besueshmërisë së rezultatit të tyre. Jo. Kjo ka lidhje me alarmin që një akt përmbysës i vullnetit të popullit, shkatërron sistemin dhe përmbys fatalisht demokracinë. Në rritjen e interesimit diplomatik nga BE dhe SHBA për zgjedhjet e vendit lexohet qartë edhe skepticizmi për një lojë të pastër zgjedhore. Mundësia për papastërtinë zgjedhore është evidentuar. Ndërsa skepticizmi në të cilin është e hapur dhe e logjikshme edhe alternativa e më shumëbesuar prej qytetarëve, për rotacionin politik, po shtohet edhe më tej. Ambasadori britanik shton në fjalimin e djeshëm të tij edhe këtë pasazh: “Akuzat për mashtrim, apo insinuatat se masa të caktuara prishin zgjedhjet, janë të lehta për t’u bërë, por të vështira për t’u provuar apo përgënjeshtruar. Edhe në nxehtësinë e debatit të partive politike për zgjedhje me rezultat shumë të ngushtë, është e rëndësishme që të mos dëmtohet procesi zgjedhor në sytë e elektoratit apo të komunitetit ndërkombëtar. Mashtrimet duhet të denoncohen patjetër në qoftë se zbulohen, por akuzat për mashtrim nuk duhet të jenë rutinë e retorikës së zgjedhjeve. Në çdo demokraci, ka pretekste apo paqartësi në sistem… Por nëse qëndron brenda ligjit, nuk i bën të pavlefshme zgjedhjet demokratike…”

Kronika e pohimeve, reagimeve dhe vizitave diplomatike në këtë fushatë, që po bëhet edhe më e ngjeshur në ditët e ardhme, nuk përjashton mundësinë të ketë edhe befasi apo episode të reja politike. Në këtë vend, diplomacia e huaj nuk ka vetëm historinë e re të ndërhyrjes dhe vëzhgimit, por edhe atë të imponimit të padukshëm apo përmes protagonizmit të heshtur. Shumëkush e përmend edhe sot se, si dhe sa lehtësisht, Fatos Nano në vitin 2005 u bind të përgatitej për tërheqjen të cilën pasardhësi i tij më i madh në moshë, kryeministri aktual Berisha e trumbetoi si triumf të vetin: “Unë e nxora në pension!” Dhe e kishte fjalën për jo-pensionistin Nano. Ajo situatë duket se po krijon perceptimin e njëjtë në ditët e këtij shkurti, kur fushata e vizitave dhe takimeve diplomatike në Tiranë po paraprin pikun e fushatës zgjedhore të 23 qershorit të këtij viti. Në këtë “fushatë diplomatike” në pik të fushatës të diplomacisë euro-amerikane, natyrisht nuk është fjala vetëm për pasojën që sjell antagonizmi i heshtur Rama-Berisha, por në mënyrë të posaçme është fjala për ndërlidhjet e nëndheshme që janë aktivizuar mes grupeve dhe mbështetësve në hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike, të cilat në vetvete kanë një specifikë të lartë ndikuese mbi realitetin dhe procesin zgjedhor jo vetëm në Shqipëri. Në shqetësimin diplomatik ndërkombëtar përfshihet pashmangshmërisht edhe gjendja e fshehur e ekonomisë publike në këtë vend, si dhe pasojat rrënimtare prej lëngatës së pazëshme të sistemin financiar dhe atij të buxhetit publik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA