Trukimet, FSHF gjobit Kastriotin dhe Bylisin

21/02/2013 00:00

Për herë të parë Federata Shqiptare e Futbollit merr masa konkrete për ndeshjet e dyshuara si të trukuara. Komisioni i Etikës në FSHF i ngritur për këtë cështje që është kthyer në gangrenë për futbollin ka gjobitur 2 klube të Superligës, Bylisin dhe Kastriotin.

1.500.000 lekë është gjoba që ka vendosur Komisioni i Etikës i cili në formulimin e relacionit ka preferuar të përdor fjalët “komplotim dhe influencim” dhe jo trukim apo paracaktim, 2 fjalë këto që jemi mësuar t’i dëgjojmë shpesh këto vitet e fundit.

Bëhet fjalë për ndeshjen e të mërkurës së kaluar ku Bylisi hapi portën dhe u mund 3-0 nga Flamurtari, ndërsa ajo e Kastriotit është e vitit të kaluar në Kupën e Shqipërisë.

Me po të njëjtin motivim Komisioni i Etikës ka shkarkuar nga detyra trajnerin e kombëtares shqiptare të futsallës Alban Neziri dhe zv.trajneri Ramazan Konçi.

Duke mos mjaftuar me kaq ky komision ka bërë për herë të parë kallëzim penal për të gjithë ekipin e kësaj kombëtareje për trukimin e ndeshjes Shqipëri–Zvicër. 
Me këto vendime duket se Federata Shqiptare e Futbollit e ka marrë seriozisht luftën ndaj fenomenit të trukimit të ndeshjeve në Superligë.

Para disa kohësh Top Channel publikoi një raport konfidencial të UEFA-s për shumë ndeshje të kampionatit shqiptar, ku tregoheshin nëpërmjet koeficientave të dyshimtë që ishin të trukuara.

Top Channel