Pelè: Neymar është ende i pamaturuar

21/02/2013 04:35

“Neymar nuk është ende gati për Botërorin e 2014-s”, ky nuk është mendimi i ndonjë individi të zakonshëm, por i Pelè.

“Është një lojtar pa eksperiencë ndërkombëtare. Në të gjitha ndeshjet e zhvilluara jashtë vendit, ai nuk luan mirë. Të gjithë mendojnë se do t’i takojë atij të zgjidhë problemet e shumta te Selecao, por Neymar nuk është i përgatitur për të marrë mbi supe gjithë këtë peshë”, ka shtuar Pelè.

“Ne të Santosit themi se ai është lojtari më i mirë në botë, por e vërteta është se Neymar preokupohet më shumë për të dalë nëpër gazeta, se sa të luajë për skuadrën. Ka një përgjegjësi të madhe, por preokupimi kryesor i tij është se si të ndryshojë stil, si të gjejë një model të ri flokësh”, ka përfunduar Pelè.

Ndërkohë që legjenda braziliane e futbollit flet për “pasardhësin” e tij, siç e ka konsideruar edhe vet ai talentin e ri të Santosit, rivali më i betuar i tij, Diego Armando Maradona, është bërë subjekt mediatik, pasi konsiderohet si trajneri i ardhshëm i Argentinos Juniors, skuadër e kampionatit argjentinas, trampolinë e lançimit të kampionëve argjentinas, mes të cilëve edhe vet “Pibe de Oro”.

Interesimi për Maradonën është pranuar nga presidenti i klubit argjentinas, teksa ka folur për një radio vendase. “Po, – ka thënë ai, – ekziston mundësia që Maradona të drejtojë Argentinos Juniors. Nëse rikthehet si pjesë e klubit tonë, do të ishte tepër e rëndësishme”.

Presidenti ka theksuar më pas se gjithçka varet nga performancat e ardhshme të ekipit të drejtuar aktualisht nga Gabriel Schurrer, e cila ka humbur në dy javët e para të kampionatit.

Maradona e nisi karrierën e tij te të rinjtë e Argentinos, të quajtur “Cebollitas”, në moshën 10-vjeçare, në vitin 1970. Në 1976 debutoi me ekipin e parë, për t’u shitur më pas te Boca Juniors në 1981.

Top Channel