Supersfida Milan-Barcelona

20/02/2013 00:00

Superndeshja e përfolur prej javësh do të arrijë pikën kulmore mbrëmjen e sotme. Klasikja e Champions League, Milan-Barcelona, kthehet sërish në këtë sezon të aktivitetit më të madh europian do të përballen në fazën e 1/8-ve.

Gjithçka është e ezauruar sa i përket biletave në San Siro për shfaqjen e sotme. Për kuqezinjtë mungon Mario Baloteli, i cili nuk mund të aktivizohet në Champions League. Skuadra italiane duket se nuk i ka mundësitë për të luajtur si e barabartë, të paktën në letër me Barcelonën, skuadrën më të fortë të momentit jo vetëm në Spanjë, por edhe në Europë.

“Do të kemi përballë një skuadër të jashtëzakonshme si Barcelona, ashtu si e kemi pasur edhe në sezonin e shkuar. Edhe pse ata janë favoritë në këtë ndeshje, ne do të bëjmë maksimumin tonë për të minimizuar rrezikshmërinë e lojtarëve të tyre”, ka thënë trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri.

Që nga viti 1994, kur Milani mundi Barcelonën 4-0 në finalen e Champions League, gjërat kanë ndryshuar shumë. Deri më sot këto dy skuadra janë përballur edhe 10 herë të tjera. Nga këto, vetëm një ka fituar Milani, 1-0 në “San Siro” në vitin 2004. Pavarësisht atmosferës së krijuar, zëvendëstrajneri katalanas, Xhordi Roura, nuk është dakord me idenë e krijuar se Milani është inferior ndaj skuadrës që ai do të drejtojë sot : “Nuk jam aspak dakord me idenë e krijuar për nënvlerësimin e Milanit. Ata janë skuadra më me shumë trofe në botë dhe e dyta me më shumë Champions në Europë dhe kur përballen dy skuadra të mëdha, nuk mendoj se njëra është më favorite se tjetra.”

Ndeshja tjetër e mbërmjes së sotme është ajo mes turqve të Gallatasarajit dhe Shalke 04-s. Atmosfera duket shumë pozitive në Stamboll ku tashmë si përforcim i ekipit turk janë Didie Drogba, lojtari që një vit më parë mbajti trofeun e Champions League në dorë dhe holandezi Uesli Shnajder që mbërriti nga Interi.

Top Channel