Sacchi: Barça nuk do të ketë probleme

20/02/2013 13:25

Arrigo Sacchi ka dominuar futbollin europian me Milanin e tij në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, ashtu siç bën tani Barcelona.

Për këtë arsye, në prag të ndeshjes së parë të 1/8-ve të finaleve të Ligës së Kampioneve mes milanistëve dhe katalanasve, ish-trajneri i madh italian sheh si favorite kryesore skuadrën spanjolle.

“Barcelona është një skuadër që po mrekullon Botën. Nëse do të jetë në maksimum, nuk do të ketë probleme për të kaluar turin.”

Sacchi thekson se aktualisht Milani është në një proces rindërtimi: “Është përmirësuar në krahasim me tre muaj më parë. Ka lojtarë interesantë në përbërje dhe si të gjitha ekipet italiane është e vështirë për ta mundur.”

Duke folur sërish për Barcelonën në një program radiofonik spanjoll, Sacchi nuk i kurseu lëvdatat: “Është melodia dhe harmonia vetë.”

Top Channel