Misisipi “heq” skllavërinë pas 148 vitesh

20/02/2013 00:00

Heqja e skllavërisë ishte një manovër politike që vetëm vizionarët si presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara Abraham Lincoln mund të kryente në mes të një lufte civile. Amendamenti i XIII i Kushtetutës federale amerikane hyri në fuqi në vitin 1965.

Megjithatë për cështje burokratike ligjore ky amendament nuk mund të hynte në fuqi pa u ratifikuar nga shtetet e vecanta të federatës. Në atë kohë ratifikimi u bë për cështje muajsh nga 35 prej tyre, ndërsa federata përbëhej nga 36 shtete. Një shtet nuk e ratifikoi, edhe pse në të skllavëria nuk u zbatua asnjëherë pas hyrjes në fuqi të Amendamentit të XIII.

Ky shtet ishte Misisipi dhe për të korrigjuar “gafën” u deshën 148 vite. Në 7 shkurt të vitit 2013 Misisipi u bë shteti i fundit që ratifikoi amendamentin e 13-të të kushtetutës amerikane. Pse u desh kaq kohë? Kësaj pyetje askush nuk mund t’i japë një përgjigje të saktë, por ajo që dihet është se në zbardhjen e kësaj “kleçke” ligjore kishte ndihmuar filmi i Steven Spielberg, Lincoln.

Filmi prej pak javësh ka dalë në kinema dhe bën një panoramë të gjithë lëvizjeve dhe vendimeve politike të presidentit Lincoln për heqjen e skllavërisë, pavarësisht se vendi ndodhej në mes të luftës civile.

Ai që e zbuloi këtë fakt ishte profesori Ranjan Batra i Universitetit të Misisipit. Ai thotë se pasi kishte parë filmin, u vendos në kërkim të dokumentacioneve në arkivën shtetërore për të mësuar se cili ishte shteti i vetëm, nga 36 që ishin në atë kohë, që nuk kishte ratifikuar heqjen e skllavërisë.

Sipas mediave amerikane, profesori zbuloi se ishte pikërisht shteti i tij, Misisipi ai që nuk e kishte marrë një hap të tillë. Në fakt kishte patur një vendim për heqjen e skllavërisë që ishte njoftuar, por mosratifikimi i amendamentit e bënte nul këtë vendim.

Ky pështjellim ligjor bëri që mediat amerikane të ngrinin pyetjen: Po nëse në Misisipi do të aplikohej skllavëria deri para 7 shkurtit, cfarë do të ndodhte? A do të dënoheshin apo jo shfrytëzuesit?

Top Channel