Interi, pjesërisht me titullarë në Rumani

20/02/2013 19:15

Rezultatet e fundit të këqija të Interit kanë bërë që pozitat e trajnerit Stamaccioni të jenë gjithmonë e më të lëkundura.

Në këto kushte, një eliminim i mundshëm nga Europa League mund të sjellë largimin e 36-vjeçarit nga drejtimi i zikaltërve dhe për të mos rrezikuar shkarkimin, njëkohësisht për të mos humbur një prej objektivave të sezonit, Interi nuk do t’i rezervojë pushim të gjithë titullarëve në transfertën e Rumanisë.

Tre herë kampionët e Europës, pas fitores 2-0 në “San Siro” ndaj Kluzhit dhe me derbin e Milanos në program për t’u zhvilluar të dielën, besohej se do të luanin vetëm me rezerva në Rumani.

Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë. Në sulm, dyshja titullare Palacio-Cassano do të jetë e detyruar të luajë, edhe sepse mungojnë alternativat e tjera për t’i zëvendësuar.

Në mesfushë do të duket se do të ketë titullarë të tjerë, si Guarin e Kovaçiç. Mungesa e Samuel në mbrojtje do të detyrojë njërin midis Ranocchias e Jesus që të aktivizohet, ndërsa më portë, alternativa e vetme është Handanoviç, pasi portieri i dytë i Interit, Castellazi është i dëmtuar, ndërsa ai i treti, Carrizo, i mbërritur në janar, nuk është regjistruar në listën e UEFA-s.

Top Channel