Imunitet s’ka, pse nuk procedohet ministri Mediu?

20/02/2013 00:00

Andrea Stefani – Pandëshkueshmëria e korrupsionit të zyrtarëve më të
lartë të qeverisë mbetet kanceri i pakurueshëm i sistemit politik në
Shqipëri. Ka 8 vjet që kryeministri Berisha stërbetohet për tolerancë
zero në luftën kundër korrupsionit.

Të njëjtën gjë po bën edhe kryeprokurori i sapoemëruar Llalla. Por vepra s’ka. Zyrtarë të lartë të qeverisë të përfolur dhe akuzuar për përfshirje në skandale korruptive mbeten të paprekur. Shembulli më tipik është ai i Fatmir Mediut, që vazhdon të jetë ministër i kabinetit “të duarve të pastra”, edhe pse është akuzuar për bashkautorësi në një korrupsion që u bë rrënja e tragjedisë së përgjakshme të Gërdecit. Dhe ndërsa disa nga bashkëpunëtorët e Mediut kanë marrë ndonjë dënim për Gërdecin, vetë dirigjenti i tragjedisë gëzon liri të plotë dhe, bashkë me Berishën, sapo ka hyrë në fushatë për të kërkuar një mandat të tretë qeverisës. Çfarë e bën atë të paprekshëm nga drejtësia?

Asgjë më shumë se sa rrjeta e paprekshmërisë nga ligji që ka krijuar rreth bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë kryeministri Berisha. Një rrjetë ku, përveç gjykatësve të kapur dhe në shërbim të qeverisë, ka kontribut edhe intimidimi i prokurorisë deri në atë shkallë sa të ngurrojë të bëjë detyrën që i dikton ligji.

Si jo pak të tjerë të akuzuar për “Gërdecin”, edhe për ministrin Mediu ka pasur një procedim penal që pat nisur pasi Kuvendi i Shqipërisë i kish hequr atij imunitetin bazuar në një kërkesë të Prokurorisë. Çështja vajti edhe në gjykatë. Por në shtator 2009, ky procedim u pushua nga Gjykata e Lartë me argumentin se Fatmir Mediu, kish fituar një mandat të ri si deputet në zgjedhjet e po atij viti. Në fakt, Gjykata zbatoi ligjin. Por nuk janë zbuluar shkaqet se përse Prokuroria nuk kërkoi një autorizim të ri nga Kuvendi për procedimin e Mediut. Aq më tepër kur jo vetëm ligji nuk pengonte, por edhe vetë shumica betohej se do zbatonte çdo kërkesë të prokurorisë për heqje imuniteti, në rastet e dyshuara për korrupsion!

Situata është bërë edhe më absurde pas miratimit, në shtator 2012, të ligjit për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në tetor 2012 dhe sipas tij, prokuroria nuk ka më nevojë të marrë autorizimin nga Kuvendi për të ndjekur penalisht deputetë të dyshuar për korrupsion. Ish-kryeprokurorja Ina Rama u bë një ndër nxitëset e kufizimit të imunitetit të deputetëve, duke argumentuar se imuniteti pengonte prokurorinë për të luftuar korrupsionin në rangjet e larta të politikës. Prandaj dhe pritshmëria ishte që, më t’u hequr barriera e imunitetit, prokuroria do të hidhej në veprim. Aq më tepër në një rast si ky i Mediut, ku ishte pikërisht riveshja me imunitet që kish penguar procedimin.

Kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga kufizimi i imuniteteve të deputetëve. Nëse jo më imunitetet, çfarë e ka penguar prokurorinë t’i shkojë në fund procedimit të Mediut për të realizuar ndëshkimin ligjor për një korrupsion që u bë shkak për viktima të pafajshme, për shkatërrim jetësh dhe pronash të qindra qytetarëve? Cila është mburoja antiligj që mbron ministra të korruptuar dhe bën prokurorinë të heshtë? Fatmir Mediu është sot ministër pa imunitet e megjithatë, edhe kryeprokurori i ri, Adriatik Lalla, nuk po shfaq vullnet për ta çuar deri në fund këtë çështje që është bërë shqetësuese edhe në raportet e ndërkombëtarëve. Si për ironi, ndërsa institucionet e hetimit kanë mbetur si të ngurosura nga vështrimi i meduzës së korrupsionit, ka qenë vetë Mediu dhe avokatët e tij që në vitin 2009, i kërkuan vetë gjykatës të mos e pezullonte hetimin. Demonstrim “ndershmërie” dhe tallje me publikun në kushtet kur ligji i diktonte gjykatës pezullimin e procedimit? Kemi shumë arsye ta besojmë sepse ndryshe, Mediu do t’i qe drejtuar jo gjykatës por prokurorisë, duke e nxitur të kërkonte përsëri nga Kuvendi një autorizim për procedimin e tij. Nëse donte vërtet t’i shkonte deri në fund së vërtetës për Gërdecin, Mediu nuk do të kandidonte për deputet e aq më pak, të ngjitej përsëri në postin e ministrit. Ky është minimumi i përgjegjshmërisë që duhet të rrëfejë një ministër pasi në sektorin e mbuluar nga dikasteri i tij, ka ndodhur një kiamet si ai i Gërdecit. Sepse ç’kuptim ka të dorëhiqesh në 2008 për një skandal të tillë dhe pas një viti, të vësh dorë mbi një post tjetër ministri? Lënia e ministrit Mediu jashtë procedimit penal për tragjedinë e Gërdecit, është etaloni i papërgjegjshmërisë, imoralitetit të qeverisjes, padrejtësisë, pandëshkueshmërisë dhe pabarazisë para ligjit në Shqipëri. Dhe shkaku është një qeverisje e korruptuar që ushtron lloj-lloj presionesh mbi institucione si prokuroria të cilat, janë krijuar me Kushtetutë jo për të fshehur e mbrojtur korrupsionin e qeverisë por për ta ulur atë në bankën e të akuzuarve. Por pikërisht kjo është akoma e pamundur në Shqipëri, kjo është gangrena. Por edhe sfida e drejtësisë! Të ulësh ministra dhe kryeministra në bankën e akuzës. Si në Kroaci, Francë, SHBA apo Britani. Por për një gjë të tillë, drejtësia në Shqipëri duhet të përleshet me kokën e autokratizmit. Ngaqë jo rrallë bashkë me ministrin, duhet të japë llogari edhe vetë kryeministri. Si në rastin e Gërdecit. Sepse nuk duhet harruar që indicie të bëra publike përflasin si bashkëpunëtor të Mediut në aferën e fishekëve, djalin e Kryeministrit. Mos është ky shkaku që prokuroria, edhe nën Llallën, përsëri po s’bëzan? Por korrupsioni dhe mjerimet që ai mbjell për shqiptarët nuk do të marrin fund, nëse nuk do ndëshkohen, në radhë të parë, zotat e tij në majat e pushtetit. Lufta radikale kundër korrupsionit kërkon që në bankën e akuzës qeveritarët dhe jo qytetarët të jenë të parët!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA