Allegri: Nisemi nga rezultati 0-0 ndaj Barçës

20/02/2013 04:00

Massimiliano Allegri ka theksuar se ndeshja e Milanit për raundit e 1/8-ave do të nisë me rezultatin 0-0, teksa është hedhur në sulm ndaj pyetjes se përse kuqezinjtë shihen si të “skarcuar” ende pa u përballur me Barcelonën.

I lodhur nga zërat, që flasin për një “punë të lehtë” të Barcelonës ndaj ekipit të tij, Max Allegri ka dalë me “këmbët e para” përpara sfidës së shumëpritur të Champions League-s, e cila do të zhvillohet në “San Siro”, duke thënë: “Më mërzit fakti, që ne konsiderohemi si një viktimë e flijuar”.

Kolegu i tij rival, Jordi Roura, mohoi gjithashtu zërat se ekipi “blaugrana”, që eliminoi Milanin vitin e kaluar në çerekfinale, janë bindshëm favoritë.

“Në dy vitet e kaluara kemi zhvilluar ndeshje të bukura ndaj Barcelonës. Ata janë ekipi më i mirë në botë, teksa ne do të përpiqemi të hedhim bazat për progresin në këtë përballje. Duhet të limitojmë kohën e zotërimit të topit nga ana e tyre, sepse ata kanë lojtarë të mëdhenj në sulm. Gjithsesi, ata mund të lënë hapësira në prapavijë, kështu që ne duhet të luajmë me besimin se mund t’i godasim”, tha Allegri.

“Messi është lojtar që mundet të bëjë diferencën, ashtu sikurse Iniesta, një nga fantazistët më të mirë në botë. Sigurisht, ne duhet t’i minimizojmë shanset e tyre për të qenë efektivë. Mbi të gjitha duhet të jemi të qetë”, shtoi trajneri i Milanit.

“Më mërzit fakti, që konsiderohemi që tani si viktimë e flijuar. Për sa kohë që rregullat nuk do të ndryshojnë përpara sfidës së të mërkurës, ne do të nisim nga 0-0 dhe ekipi im do të ketë objektivin për të sulmuar përpara”, deklaroi ai.

Lajmet nga ekipi i Milanit
Giampaolo Pazzini, “një nga arkitektët e rilindjes së Milanit”, sipas trajnerit të tij, ka lënë pas një dëmtim të lehtë, por Stephan El Shaaraëy është në mëdyshje, pas një dëmtimi në gju. Mesfushorët Flamini dhe Nocerino priten të mungojnë nga dëmtimet, ndërkohë që Allegri ka bërë të ditur lojtarët që do të aktivizojë në mbrojtje: Abate, Zapata, Mexes dhe Constant.

“Milani i këtij sezoni është i ndryshëm nga vitet e kaluara. Të vish e të luash këtu është kënaqësi, një stadium i madh dhe një atmosferë fantastike. Milani vazhdon të jetë një nga ekipet më prestigjioze në Europë, sigurisht duhet të shqetësohemi për këtë arsye. Nuk ka kuptim të flasim për favoritë. Nuk jam dakord me ata, që thonë se Barcelona do të fitojë. Milani është një nga ekipet më të suksesshme në Europë dhe “San Siro” ka qenë gjithmonë një stadium i vështirë, ku mund të luash. Atmosfera e Champions-it është pozitive dhe po shohim përpara drejt kësaj sfide”, tha zëvendës trajneri i Barçës, Jordi Roura.

“Nuk e kam vendosur formacionin. Kemi pësuar disa gola gjatë ndeshjeve të fundit, por po ashtu kemi shënuar shumë. Gjithsesi, duhet të punojmë në vazhdim për të korigjuar gabimet tona”, shtoi ai.

Lajmet nga ekipi i Barcelonës Xavi Hernandez është i disponueshëm, pas mungesave në ndeshjet e La Ligës për shkak dëmtimi. Gjithsesi, mbrojtësi Adriano do të mungojë në takimin e parë në “San Siro”, pas atij dëmtimi të pësuar në fundjavë. David Villa nuk ka udhëtuar me ekipin, pas dy vizitave në spital për një problem që e shqetëson.

Fakte për ndeshjen

Këto dy emra të famshme në botën e futbollit janë përballur gjithsej 15 herë. Barcelona shënon 6 fitore, kundrejt 4 të Milanit, teksa ka shënuar 22 gola, kundrejt 19 të kuqezinjve.

Milani, nga 7 përballje me “blaugranat” në shtëpinë e tij, regjistron 2 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

Përballja më veçantë dhe që mbahet mend midis këtyre dy ekipeve është ajo e finales së Champions-it 1994 në Athinë, ku Milani i Fabio Capello-s shpartalloi 4-0 katalanasit favoritë, me golat e shënuar nga Daniele Massaro (22’, 45’), Dejan Savicevic (47’) dhe Marcel Desailly (58’).

Top Channel