Zanetti “thërret” Simeonen. Edhe pak nga tërheqja!

19/02/2013 01:20

Humbja e turpshme në Firence ka lënë gjurmët e saj, por Javier Zanetti mendon sërish pozitivisht.

“Duhet të rigjejmë vazhdimësinë dhe t’i shkojmë deri në fund të gjitha sfidave, në të gjitha kompeticionet, megjithatë mos harroni se jemi një skuadër e re, do të duhet kohë për të ndërtuar diçka të rëndësishme”, ka thënë kapiteni i Interit.

Në lidhje me të ardhmen e pankinës zikaltër: “Simeone është një miku im dhe duke e njohur mirë, mendoj se ka dëshirë të rikthehet në Itali për të drejtuar një skuadër si Inter. Por, ky nuk është momenti i duhur për të folur, sepse kemi një trajner si Stramaccioni, i cili është i ri dhe i zoti”.

“Interi është familja ime dhe gjithmonë e kam thënë se do të më pëlqente të vazhdoja të punoja këtu, por nuk dua një rol trajneri, më pëlqen të kem ndonjë rol drejtuesi. Kur do të largohem nga futbolli? Mendoj se mbetet edhe shumë pak, ndoshta 2 apo 3 vite, nuk e di”, shtoi ai duke folur për të ardhmen.

E tashmja është e lidhur me Fiorentinën dhe humbjen e thellë 4-1 të pësuar pa reaguar aspak: “Fillimisht duhet t’i komplimentojmë kundërshtarët, të cilët zhvilluan një ndeshje të madhe, ndërsa ne nuk bëmë asgjë nga ato, që kemi mundësi të bëjmë me forcat tona. Jemi të dëshpëruar për rezultatin dhe mbi të gjitha me performancën e dobët. Është e kotë të gjesh alibi për diçka të tillë, apo në lidhje me forcën fizike, duhet vetëm të pranojmë se kishim përballë një Fiorentinë më të fortë se sa ne, në të gjitha drejtimet. Gjithsesi, nuk kemi kohë të qajmë të kaluarën, kemi Ligën e Europës dhe derbin, ndoshta mund të shënojnë kthesën e sezonit tonë”.

Top Channel