Mesazh i frikshëm shqiptar në Londër

19/02/2013 00:00

Arben Manaj – Më qëlloi këto ditë në Jug të Londrës, të përktheja për
autoritetet britanike të emigracionit, gjë që e bëj që prej 19 vjetësh.

Ishte një djalë nga verilindja e Shqipërisë, nën moshë, i cili kishte ardhur për të kërkuar azil, për shkak të, siç pretendonte ai, gjakmarrjes me një fis në fshatin e largët malor nga vinte.

Deri këtu s’ka asgjë të keqe dhe personalisht në këtë kapacitet profesional më është trashur lëkura me raste të tilla, për të cilat nuk dua të shprehem nëse janë apo jo të besueshme, e para sepse nuk mundem dhe e dyta, sepse tjetërkush e ka tagrin për verifikimin e pretendimeve të tilla.

Ajo që më shokoi dhe cyti të shkruaj një përjetim, ishte niveli kulturor i këtij të riu rreth moshës 17-vjeçare, që m’u dhimbs, e ku besoj se si ai janë të shumtë të atillë në çdo cep të Shqipërisë së ditëve të sotme.

Ai djalosh, ishte në një nivel të atillë arsimor dhe kulture të përgjithshme, që do duhet të bëjnë të bien kambanat e alarmit për të sotmen dhe të ardhmen e atij vendi, nëse ka mbetur një ndjenjë përgjegjësie njerëzore apo shtetërore ende.

Një i ri, i cili kur e pyesnin se cilat ishin disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, përmendte vetëm Tiranën dhe Durrësin, dhe nuk ishte në gjendje të thoshte ndonjë qytet tjetër!

Kur e pyesnin se cilat ishin shtetet me të cilat kufizohet Shqipëria, pra, cilat ishin shtetet fqinje, përmendte vetëm Italinë dhe asnjë tjetër!

Kur e pyesnin se cilat janë disa nga televizionet kryesore në Shqipëri, ai përmendte, citoj; “24”, dhe me siguri e kishte fjalën për “News 24” dhe RTK!

Një i ri që nuk dinte se ç’ndodh në gjykatë dhe çfarë bëhet në një institucion të atillë, e nuk kuptonte se ç’do të thoshte fjala “akuzë”.

Mundet të ishte edhe nën trysni dhe emocion nga intervistimi, por kam pasur siç thashë, shumë raste gjatë 19 vjetëve në Londër kur kam përkthyer për Emigracionin apo Policinë Metropolitane dhe në situata shumë më delikate dhe të rënda, por kurrë nuk kam parë një të ri që të demonstrojë një nivel të atillë kulturor dhe arsimor.

Rasti i tij, mund të thonë cinikët, është i rrallë, por edhe nëse është kështu, për mua është shqetësues, edhe pse nuk e besoj se është i shkëputur.

Mendja thjesht më shkonte se ky djalosh, që do të jetojë në Londër tash e tutje, nuk e di për sa kohë, shpresoj përgjithmonë, nëse ka pak fat dhe do të bëhet britanik, do të jetë një votues në këtë vend dhe si çdo shtetas anglez, ashtu si edhe unë, do të kemi një votë në dorë në këtë oqean njerëzish të kulturuar dhe emancipuar, siç është shoqëria britanike.

E nëse kjo votë e jona ndikon ose jo, s’jam 100 për qind i sigurt, por kam bindjen se nuk ndikon në krijimin e shumicave për përcaktimin e një mandati deputeti anglez.

Nisur edhe nga vendimi i fundit për marrjen e shtetësisë britanike, duke filluar nga muaji mars, ata të huaj që do marrin shtetësinë do kalojnë në një provim që i përngjan më shumë një provimi mature në shkollat elitare publike angleze, ku pritet të dinë më shumë për historinë britanike, që nga Epoka e Gurit, tek sundimi romak, apo për Magna Carta, do të pyeten për arritjet artistike të vendit, apo për dashurinë e britanikëve për kopshtarinë, si dhe arkitektët më të famshëm anglezë si Kristëfer Ren (Christopher ëren) dhe Norman Foster, për trashëgiminë artistike dhe influencën në botën e muzikës botërore të grupit “The Beatles” dhe kompozitorin e Endrju Lloid Ueber (Andreë Lloyd ëeber).

Pyetje do të ketë edhe për kryeveprat letrare të poetëve dhe autorëve të njohur britanikë, shkencëtarët dhe politikanët, për Shekspirin, Robert Bërnsin, Isak Njutonin dhe Çërçillin.

Dhe mendja më shkon tek ai djalosh nga verilindja e Shqipërisë dhe jo pak të tjerë nga pjesë të tjera të Shqipërisë, i cili deri atëherë nëse do ta marrë shtetësinë britanike, edhe mund t’i mësoj tërë këto gjëra! Por padyshim, do ta ketë shumë të vështirë.

Rasti i tij vetvetishëm më çoi mendimin tek zgjedhjet e reja në vend dhe për një moment, ndoshta tërë cinizëm, por edhe shqetësim normal, thashë edhe ky djalë do ta ketë të drejtën e votës, e cila mund të zgjedhë deputetë që më pas kanë shumë rol në të ardhmen e vendit.

Ai mund të mos e ushtrojë këtë të drejtë kushtetuese në këto zgjedhje, por do ta bëjnë vërsnikët e tij kulturorë që janë ende në Shqipëri?!

Nuk e di se ç’bindje kishte ai djalosh dhe ai mund të votonte majtas apo djathtas apo edhe në qendër, ç’rëndësi ka.

E rëndësishme dhe e frikshme është se si ai ka shumë të tjerë, që jo për faj të tyre, por edhe të rrethanave ndoshta personale, dhe shumë faktorëve të tjerë, janë në atë gjendje dhe nivel kulturor.

Kjo më trembi dhe më bëri shumë pesimist për të ardhmen e vendit tim, të këqyrur prej së largu. Shoqëria dhe çdo qeveri e ditës, ashtu si edhe ato të shkruarat, kanë përgjegjësi për të dhe faj, padyshim.

Shpresoj që këto rreshta të kuptohen drejt dhe të deshifrojnë mesazhin që dua të përcjell për ata që kanë në dorë fatet e këtij vendi, të cilëve për ironi të ironisë, edhe u intereson paradoksalisht një kategori e tillë njerëzish të pashkolluar, pasi e kanë më të lehtë t’i manipulojnë dhe përdorin, por mbi të gjitha, ajo që më dhemb, është e ardhmja e vendit, me një kontingjent të tillë injorance.

Nëse u dhimbsen këta të rinj disi, por edhe nëse u dhimbsen edhe fëmijët e tyre, në fund të fundit, me të cilët mund të kenë të bëjnë një ditë në jetë fëmijët e tyre, do duhet ta vënë dorë në arsimimin dhe ngritjen e nivelit të përgjithshëm të të rinjve shqiptarë, pasi nga e kundërta e saj, veçse të këqija do të këtë, edhe pse mund të përfitojnë lehtësisht për disa mandate ata që bëjnë politikë në Shqipëri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA