Diskriminimi, KiE kritikon Tiranën

19/02/2013 19:55

Shqipëria nuk ka përmbushur ende rekomandimet në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racor, veçanërisht në qasjen ndaj komunitetin rom, vlerësoi të martën Këshilli i Europës.

Në raportin e fundit, grupi i ekspertëve të KiE-s (ECRI) vëren një përforcim të legjislacionit, por siç ndodh rëndom, gjërat ngecin tek zbatueshmëria.

Ligji kundër diskriminimit, i miratuar nga Kuvendi duhet përmirësuar, sipas ekspertëve, për të siguruar mbrojtjen edhe ndaj diskriminimit mbi baza kombësie. Krijimi i institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen kundër Diskriminimit dhe roli i luajtur nga Avokati i popullit vlerësohen si një farë suksesi.

Ndërkohë, masat e prekshme, si përshembull strehimi i familjeve rome në mjedise dinjitoze, me kushte më të mira, apo integrimi i fëmijëve romë në sistemin parashkollor janë plotësuar vetëm pjesërisht.

Në përfundim, KiE kërkon përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në luftën kundër diskriminimit, duke ruajtur rekomandimet dhe vëzhgimin e vendit nëpërmjet raporteve të rregullta në këtë fushë.

Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel