Bajerni “fluturon” në “Emirates”

19/02/2013 22:55

Bajerni i Mynihut thuajse ka siguruar kualifikimin për në çerekfinale, pas fitores 1-3 përballë Arsenalit në “Emirates Stadium”.

Seria e rezultateve negative për anglezët e Venger, pas Kupës së Anglisë, ka vazhduar edhe në Champions League, ku shumë shpejt, që në minutën e 21-të, e panë veten në disavantazhin e 2 golave, në fillim Toni Kros dhe më pas Myler.

Pjesa e parë ishte thuajse në hije për Arsenalin, ndërkohë që gjërat u dukën të ndryshonin disi me fillimin e pjesës së dytë. Podolski, pas 10 minutash lojë të 45 minutave të dyta, shënon golin e parë dhe të vetëm për Arsenalin.

Ritmi i tyre ndryshoi dhe gjermanët u dukën sikur po hezitonin. Rastet e krijuara nga ta zerohen me një gol rokambolesk të Mandzukiç, në minutën e 77-të, që çon shifrat në 1-3 dhe për më tepër i jep një siguri shumë të madhe Bajernit të Mynihut për kualifikimin e mëtejshëm, në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet më 12 mars.

Ndeshja tjetër e 1/8-ave, mes Portos dhe Malagës, përfundon në avantazh të portugezëve me rezultatin 1-0. Goli i Moutinjos, gjithsesi, lë gjithçka të hapur për kualifikimin në ndeshjen e kthimit.

Top Channel