Vettel, me Red Bull edhe në vitin 2014

18/02/2013 10:45

Dietrich Mateschitz, pronari i skuderisë Red Bull në Formulën 1, është shprehur në një intervistë për ‘La Gazetta dello Sport’ se 3 herë kampioni i botës Sebastian Vettel do të garojë për skuadrën e tij edhe në vitin 2014.

Rinovimi i kontratës së pilotit gjermanit nuk ishte konfirmuar dhe kishin dalë zëra se Ferrari mund të bashkonte kampionin gjerman me atë spanjoll, Fernando Alonson, por kjo gjë duket se nuk do të ndodhë së shpejti.

Në lidhje me dominimin e Red Bull në tre vitet e fundit të Formulës 1, Mateschitz u shpreh: “Të gjithë duan që t’i japin fund dominimit tonë, por ne do të bëjmë të pamundurën që kjo gjë të mos ndodhë.”

Pra, skuderia austriake do të jetë rivalja kryesore e Alonsos dhe Ferrarit edhe për këtë sezon. Kur u pyet nëse do të blinte Alonson në rast largimi të Vettel, Mateschitz deklaroi: “Pse jo? Gjithmonë nëse nuk është tërhequr nga garat.”

Top Channel