
Alessandro Leogrande është një nga zërat autoritarë të medias italiane. Drejtor i të përmuajshmes “Lo Straniero”, mbulon gjithashtu rubrika të përjavëshme në “Corriere Dell Mezzogiorno “, ose “Il Fatto Quotidiano”.
Ai është gazetar raportues i mafieve të reja në Itali, i lëvizjeve të protestës, i shfrytëzimit të punës së papaguar të emigrantëve. Është autor i shumë librave. Më i fundit është libri kushtuar Tragjedisë së Otrantos, ku në përplasjen mes anijes Kateri i Radës dhe anijen italiane Sibilja në vitin 1997 humbën jetën 81 shqiptarë.
“Kërkimi zgjati shumë. Sic thashë edhe më parë, flitej për një ngjarje të vecantë që bënte pjesë në historinë e emigracionit shqiptar drejt Italisë. Por bëhej fjalë për një tragjedi që nuk ishte shkaktuar nga forcat e natyrës, as fyt i gabimit të atij që ishte në timonin e Katerit të Radës. Këtu kishte një goditje në det dhe më pas është punuar për të fshehur gjurmët, për të mos zbuluar se e kujt ishte përgjegjësia e goditjes. Kjo punë për mua ka qenë shumë e gjatë. Dua të them se kishte një gotë gjysmë plot, por edhe një gjysme bosh. Gjysma plot ishte fakti që ndryshe nga herët e tjera që mbetjet janë tërësisht të mbështjella nga valët e detit, në këtë rast ka patur një gjyq. Një proces gjyqësor do të thotë një mekanizëm, qoftë edhe minimal, që drejtësia ka vënë në punë për të zbardhur se cfarë ndodhi atë mbrëmje. Pra dëshmitë e atyre që ishin në anije dhe të atyre që ishin në anijen ushtarake, të atyre që ishin në tokë etj. Ky ka qenë një serbator në librin tim. Ajo që e bën këtë proces gjyqësor të ngjashëm me proceset e tjera, është mjegulla”, deklaronte Leogrande në një intervistë dhënë në muajin mars të 2012.
Leogrande këtë herë zgjodhi studion e emisionit “Shqip”, por jo për të folur për librin e tij, “Anija e Mbytur, Vdekje në Mesdhe”, roman investigativ që synon të zbardhë sadopak atë që ndodhi në Otranto më 28 Mars 1997 e më pas, me procesin gjyqësor, me përpjekjet për të gjetur drejtësinë, synon të hedhë dritë me mjegullën e gjithë procesit gjyqësor.
Këtë herë Leogrande nuk ishte i ftuar për të folur për librin e tij, tashmë të përkthyer në shqip, por për të njohur Alessandro Leogrande-n gazetar, gazetar italian dhe gazetar europian. Ai foli për shkrimet e tij, për përpjekjet për të thënë të vërtetën dhe “betejat” me politikën për të mos e fshehur kurrë atë.
Me Shaban Muratin
Pjesa e dytë dhe e tretë Shqip iu kushtua Shaban Muratit, një ndër emrat e nderuar të diplomacisë shqiptare, me eksperiencë të gjatë në shërbimin diplomatik shqiptar ai mund të konsiderohet pa frikë si një ndër njohësit më të mirë të cështjeve ballkanase.
Murati është autor i një sërë librash analitikë si “Serbia kundër Serbisë”, Enigmat diplomatike të Pavarësisë së Kosovës”, “Çështja shqiptare pas Pavarësisë së Kosovës”, “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan” dhe botimi i fundit, ai i 2012 “Hije në Diplomacinë Shqiptare”.
Ai ishte i ftuar në Shqip këtë të hënë, këtë herë jo për të folur si diplomat, por për të folur për gjithë punën e tij, atë që shihet, e hedhur në libër dhe anën tjetër, shkrimet që ai i ka nisur si anonim nëpër redaksitë e gazetave. Por përse kjo zgjedhje? Pse anonim?
Zoti Murati sqaroi se dërgonte shkrimet e tij me pseudonime nëpër gazeta gjatë periudhës që ishte pjesë e trupit diplomatik për të mos përfshirë në mendimet e shprehura në shkrim shtetin, sepse nëse do të dilte me emër përfshihej qeveria.
Rudina Xhunga: Po na e kërkojnë ngultësisht që ta trajtojmë Kosovën si shtet fqinj. Po ju, kështu e shikoni Shqipërinë dhe Kosovën, si dy shtete fqinje?
Shaban Murati: Unë mendoj se është gabim nëse ne do ta konsiderojmë Kosovën shtet fqinjë dhe për fat të keq edhe titullarë të diplomacisë shqiptare bëjnë gabime të tilla që kur përmendin Kosovën e quajnë si shtet fqinjë ose bëjnë gabimin akoma më të madh që e quajnë Serbinë dhe Shqipërinë shtete fqinje ndërkohë që ato nuk janë shtete fqinje. Pra, ka një konfuzion që vjen, ndoshta, dhe nga mungesa e profesionalizmit, nga mungesa e kulturës diplomatike por fakt është që Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete shqiptare dhe që nuk mund të konsiderohen shtete fqinje. Dhe unë them që pas krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, diplomacia shqiptare duhej të kishte intonuar tjetër platformë të marrëdhënieve midis dy shteteve. Në fakt unë kam qenë në Ministrinë e Jashtme në atë kohë dhe u duk sikur nuk ndodhi asgjë përveç festimeve dhe folklorit që ndjek zakonisht ngjarjet historike dhe ne, për fat të keq, e kemi lënë një vit e pak pa shef misioni Kosovën në kohën më të rëndësishme të bisedimeve për statusin e Kosovës, duke përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që të gjithë shtetet e tjera kishin një shef misioni. Kjo pra, tregon që ne kemi pasur ndaj Kosovës një ndrojtje ose një vetëpërmbajtje që është e pashpjegueshme. Kosova është shtet shqiptar pra, zgjidhja e çështjes shqiptare, për herë të dytë, pas pavarësisë së Shqipërisë, e cila neve do të na kishte çuar në krijimin e një situate krejt te re. Pra, ne duke qenë anëtare të NATO-s, dhe Kosova një shtet i ri i pavarur, unë hedh idenë, dhe e kam propozuar me kohë në libër, që Kosova duhet të jetë për Shqipërinë aleati strategjik numër një. Nuk mund të jenë shtete të tjera ballkanike ku për fat të keq ne kemi katër shtete që i kemi bërë traktate të miqësisë dhe bashkëpunimit dhe akoma hezitojmë të bëjmë një traktat miqësie dhe bashkëpunimi të mbrojtjes reciproke me Kosovën. Unë e kam hedhur këtë propozim qysh në 2009 dhe isha në Ministrinë e Jashtme në atë kohë.
Rudina Xhunga: Çfarë e pengon që të bëhet kjo gjë?
Shaban Murati: As unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj përveç mungesës së vullnetit politik. Pra, duke bërë një traktat të tillë me Kosovën ju duhet të keni parasysh që ne si shtet i NATO-s marrim përsipër në eventualitetin e një agresioni të mundshëm kundër Kosovës, mbrojtjen e saj. Por këtë e merr në planin juridik. Pra, nuk ka rëndësi folklori dhe deklaratat që ne mund të bëjmë, që ne e duam dhe e dashurojmë Kosovën dhe japim jetën për të. Është më e thjeshtë, në planin juridik, politik, diplomatik, të bëhet traktati i Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, me Kosovën dhe Kosova është e mbrojtur nga Shqipëria që është detyrim i yni kombëtar dhe kushtetues. Qeveritë shqiptare, diplomacia shqiptare, nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim. Pra, janë disa gjëra që vërtetë të çojnë në habi nga qëndrime të tilla në një kohë që ne Kosovës duhet t’i krijojmë të gjitha kushtet juridike dhe jo folklorike, qoftë për momente bashkimi apo projekte të tjera. Por çështja qëndron se sa ecën shteti. Unë do sillja një shembull. Gjermania qysh në vitin 1949, kur nuk mendohej kurrë që Gjermania e ndarë do të mund të bashkohej një ditë, në kushtetutën e saj parashikonte bashkimin e Gjermanisë dhe kjo doli pas 50 vjetësh. Pra, qysh në kushtetutën e ’49, kur sapo ishte krijuar ndarja e Gjermanisë, ku Republika Demokratike Gjermane ishte e pushtuar nga rusët dhe Gjermania tjetër nga të tjerë, gjermanët e mençur në kushtetutë parashikonin bashkimin e Gjermanisë. Nuk dihej kurrë a do të ndodhte apo jo, asnjëri prej tyre nuk mund ta parashikonte por ata si të mençur e konceptuan në kushtetutë. Pra, ne duhet të konceptojmë si shtet në planin juridik ta bëjmë këtë hap që do të na çojë nesër në një bashkim i cili për mua do të jetë i mundur vetëm nëse krijohen kushtet ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare. Ne mund të dëshirojmë shumë gjëra por pa u plotësuar këto tre kushte mendoj se nuk mund të realizohet projekti i mirëpritur apo i mirëdashur i yni për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Rudina Xhunga: Projekt për të cilin nuk jemi duke bërë asgjë.
Shaban Murati: Shtetet e mençura punojnë si shtete. Festivalet folklorike janë të tjetërkujt, janë të nevojshme për të ushqyer popullin me ndjenja patriotike dhe unë i mbështes ato, por një shtet që është i mençur punon si shtet për të ditur se çfarë do ndodhë pas 20 vjetësh apo 50 vjetësh. Nuk duhet të kërkojmë alibi tek parullat që ne do bashkohemi në Bashkimin Evropian me Kosovën pasi ne do bashkohemi edhe me Serbinë në Bashkimin Evropian. Pra, këto janë naivitete që nuk i kanë hije një diplomacie apo një shteti të mençur.
Top Channel