Të mjerët e “të mjerëve”

17/02/2013 00:00

Monika Shoshori Stafa – Me këtë pyetje në mendje e përshkova rrugën drejt kinemasë, përmes afishesh dhe pllakatesh që të ftojnë drejt “Les miserables”, një film i realizuar në të njëjtin stil si dhe “Notre Dame de Paris”, të dy mbështetur në romanet e njohur të shkrimtarit francez Victor Hugo.

A ka më të mjerë? A ka ende të mjerë? A ka edhe më të mjerë se ata të dy shekujve më parë?

Që nga koha kur Hugo shkroi romanin e vet në Europë janë zhvilluar edhe disa revolucione: revolucioni industrial, revolucionet e bashkimit kombëtar, revolucionet postindustriale, revolucionet teknologjike. Fytyra e Europës ka ndryshuar. “I urituri i fundmë në Finlandë është i vitit 1908”, thonë jo pa mburrje në Helsinki. Në Europë nuk ka më uri, nuk vjedh kush bukë, nuk dënohet njeri pse s’ka rrugë tjetër për të mbijetuar. Më 1989, në 200-vjetorin e Revolucionit Francez, festimet e organizuara në Paris u cilësuan më se luksoze dhe madhështore. Europa e sotme llamburit nga dritat e fuqishme, nga reklamat, nga krekosja prej modernitetit. Prej afërsisht 70 vjetësh në Europë nuk ka më luftë dhe kjo është paqja më e gjatë në gjithë historinë e saj. Që prej vitit 2000, Europa ka një monedhë të vetme, dhe kjo është gjithashtu monedha e vetme në histori që ka zëvendësuar devizat lokale pa luftë, pa pushtime, pa imponim. Shoqëritë e kursimit dështuan, shoqëria e konsumit lulëzon edhe në kohën e sotme, që shumëve u kujton “Depresionin e madh” ekonomik të vitit 1929 apo krizën e dollarit të vitit 1972. Lojërat Olimpike të vjetshme në Britani, disa vite më parë po ato në Greqi, qenë manifestime spektakolare se sa e pasur dhe sfidante në pasurinë e saj është Europa. Lumenj drite shigjetojnë veturat gjithnjë e më të sofistikuara nëpër bulevardet dhe autostradat e Europës. Fluturimi me avion është tashmë një dukuri popullore. Çfarë ishte privilegji përjashtimor i disa shërbimeve: i policisë, i shërbimeve të fshehta, i aviacionit – telefonia e lëvizshme – sot është një mundësi edhe për të papunin. Greqia fqinje ka nevojë për 300 miliardë euro, por populli nuk ka probleme jetike. 800 miliardë dollarë nxori administrata amerikane e Bushit nga Thesari i Shtetit për të mbajtur mirë me shëndet paranë e vendit (njëherësh dhe para ndërkombëtare), gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në histori. Vetë koncepti për ekzistencën ka ndryshuar rrënjësisht: në kohën kur u shkrua romani “Të mjerët”, e drejta për informim nuk mund të përfytyrohej si e drejtë themelore ekzistenciale e njeriut.

Regjia e filmit muzikal (ndoshta më e saktë do të ishte të quhej një opera moderne) i ka qëndruar besnike tekstit të autorit. Parisi ka dalë në barrikada, sepse për vegjëlinë nuk ka as bukë e ujë, ndërsa kopshtet dhe parqet e një aristokracie që u ka mbijetuar dy revolucioneve të mëparshme u errin sytë prej shkëlqimit. “Parisi po fle, qyteti nuk është me ju”, thotë një prej komandantëve të palës mbrojtëse të pushtetit. Dhe vërtet, dritaret e pallateve në sfond mbyllen një nga një. Askush nuk don të rrezikojë. Natyrisht, përveç njerëzve të barrikadave, të mjerëve të më të mjerëve; përveç atyre që jeta i ka çuar drejt përfundimit: më mirë të vdesësh në barrikadë se në gjirizet e qytetit. Po, veç tyre janë dhe revolucionarët, ata që e dinë se Francën do ta shpëtojë republika, komuna; vetëm pastaj mund të garantohet populli i egërsuar se do të jetojë më mirë. Dhe kështu, elita për republikën dhe vegjëlia për bukën, mposhtin Parisin e vjetër dhe i dhurojnë njerëzimit një prej progreseve më të mëdha në histori, sloganin “Liri, barazi, vëllazërim”, pa të cilin Karta Themelore e të Drejtave të Njeriut nuk do të mund të imagjinohej, jo më të bëhej pjesë e një prej listave më të rëndësishme të pasurisë jomateriale të njerëzimit. Ato barrikada i dhuruan Europës republikën dhe i treguan shekullit se koha e mbretërve po mbyllej njëherë e mirë. Prej aty nisi progresi drejt asaj Europe që vitin e kaluar fitoi çmimin “Nobel” jo prej asaj aristokracie nobile që po mbrohej në barrikada, por prej një fisnikërie të re, fisnikërisë që vjen prej barazisë së kombeve në një federatë, barazisë së qytetarëve në një pasaportë, në një monedhë, në një treg, në një flamur.

Zërat buçitës të këngëtarëve të veshur si Jean Valjean-i dhe Kozeta, si parizienët e mjerë të shekullit të 18-të dhe gobsekët e panginjur të anës tjetër të barrikadave më shoqërohen në mendje me shumë pikëpyetje të tjera. Për shembull, a mund të thuash se në Shqipëri nuk ka të mjerë derisa flitet ende për një traditë “republikanizmi kanunor”? Së paku për mjerim intelektual, në mos tjetër, sepse mjerimi nuk është vetëm copa e bukës. Mjerimi dhe varfëria nuk janë e njëjta gjë. Mjerimi mund të jetë shpirtëror, mendor, qytetar, madje edhe filozofik. A mund ta quash tashmë thjesht dukuri të letërsisë dhe artit mjerimin kur në shqip, një prej tri nyjave të republikanizmit të vërtetë, nyjën e barazisë, e shpreh me një fjalë turke (barabar, beraber)? Dhe a mund të përjashtohet mjerimi edhe në kuptimin klasik të fjalës përderisa, ndonëse nuk pranohet zyrtarisht, minimumi jetik i popullit sot është një euro në ditë? A mund të përjashtohet mjerimi dhe nga Europa e sotme, përderisa OKB-ja, vitin 2013 e ka shpallur vitin e qytetarit, vitin e manifestimit të barazisë në dallim: racor, kulturor, gjenetik, fetar, etnik, gjinor? Nëse këto dallime nuk do të ishin shqetësuese për botën, cila do të kishte qenë arsyeja e shpalljes së “Vitit të qytetarit”?

“Për aq kohë sa do të ketë varfëri, për aq kohë populli do të bëjë politikë, për aq kohë politika do të jetë një zanat popullor”, shkruante dikur shkrimtari i njohur turk Nazim Hikmet. Kjo thënie e tij më erdhi në mendje, duke ndjekur natën e parë të Festivalit tradicional të Sanremo-s. Nuk kishte ndodhur kurrë që një artist i mirënjohur të refuzohej me këmbëngulje nga skena e festivalit më të njohur të këngës në Europë. Po kjo ndodhi vërtet, dhe ndodhi me aktorin Maurizio Crozza. “Basta! Basta con la politica!” dhe thirrje të tjera detyruan aktorin të zgjidhte largimin nga skena. Dhe me siguri, ashtu do të kishte ndodhur nëse pjesa protestuese, ajo që nuk e do më politikën, ajo që i ka shpëtuar varfërisë, sipas shprehjes së Nazim Hikmet, nuk do të ishte tërhequr nga salla. Aktorit Maurizio Crozza iu deshën jo pak minuta për të rimarrë veten. Dhe humori i tij e shigjetoi politikën pa mëshirë për një gjysmë ore. Dhe audienca e Sanremo-s, thuajse e pacenuar fare prej të rebeluarve kundër politikës, në fund ia shpërbleu sjelljen, mjeshtërinë dhe satirën me shumë ngrohtësi. Po në Shqipërinë tonë, sa popullore është politika? Sa orë në ditë shqiptarët ua kushtojnë grindjeve për politikë, për simpati ndaj qeverisë apo ndaj kundërshtarëve të saj?

“Liri, barazi, vëllazërim!” – kjo qe dhurata që i erdhi Europës prej “Les miserables”. Prej këndej lindi monumenti më i madh i qytetarisë, korpusi i të drejtave të njeriut, në themel të të cilave është e drejta e jetës. Një tjetër artist italian, në një prej “One Man Shoë” të tij, R. Benigni, duke iu referuar pikërisht këtij monumenti, që është brendësuar në Kushtetutën italiane, tha pak a shumë kështu: Jam krenar që rroj në një vend ku nuk paguhet asnjë qindarkë tatim për të mbajtur nëpunës, zyra, institucione, që i prekin qytetarit jetën. Jam krenar që në vendin tim, vetëm kriminelët vrasin.

“Parisi matanë po fle, qyteti nuk është me ju!”, thotë komandanti. Por ai nuk thotë nëse Parisi është me të. Revolucionet, sado popullorë të jenë, bëhen nga pakica e të revoltuarve. Shumica qëndron dhe pret fitoren. Dhe kjo pakicë më vonë bëhet edhe më e vogël, sepse “revolucionet i bëjnë idealistët dhe i gëzojnë manipulatorët”. Kështu ka ndodhur gjithnjë dhe në Europën e tejzhvilluar. Sa herë horizonti i saj është zymtuar, aq herë i është drejtuar revolucionit, popullit, të mjerëve. “Ka lindur një nostalgji për ish-Bashkimin Sovjetik”, tha i ftuari i dytë i Festivalit të Sanremo-s, Toto Cutugno. “No! No! No! Per favore no!”, iu drejtua Fabio Fazio, paraqitësi i konkursit. “Non si puo parlare per la nostalgia di ex-Unione Sovietica”. Sepse kështu mendon politika editoriale. Por ndryshe mendon partnerja e tij, aktorja komike Luciana Littizzetto: “Nëse nuk më lejohet të flas për politikë, atëherë do të jem në këtë skenë thjesht ‘come una letterina’”.

Kur njerëzit ngulmojnë të flasin për politikë; kur njerëzve nuk u lejohet të flasin për politikë; kur njerëzit largohen nga shfaqja se nuk duan të dëgjojnë për politikë, do të thotë se mjerimi, në formën e shekullit të 21-të, është krejt i pranishëm. Por ne e kemi të vështirë t’i përgjigjemi anës tjetër të kësaj pyetje: “A ka (edhe) më të mjerë se ata të Hugo-it”?

“Liria në barrikada”, Eugene Delacrois.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA