Ilir Yzeiri – Vrasjet që ndodhën këto tri-katër ditët e fundit, përkuan si për ironi me ditën e Shën Valentinit dhe ato hapën jo pak, por mbi pesë varre, në mos gaboj.
Në Ersekë, një burrë i dashuruar deri në marrëzi vrau të dashurën dhe veten bash Ditën e Shën Valentinit dhe vdekjen ai e kishte zgjedhur si dhuratë për të dashurën. Ditë më pas, dy kunata vrasin vjehrrën me metodën makabre që e kemi dëgjuar vetëm nëpër përralla apo nëpër rrëfime me sfond legjendash duke i hedhur vaj të nxehtë në vesh. Në Kuçovë, një tjetër vret vjehrrin, vjehrrën dhe plagos gruan në mos gaboj, ndërsa në Lezhë një djalë i ri gjuan me armë mbi nënën dhe gjyshen e vajzës që ai dashuronte, sepse ato nuk e linin që vajza të dilte. Të duket vetja sikur jeton në Mesjetë, në atë kohë kur ndjenja e dashurisë nuk mund të realizohej dhe të dashuruarit, përballë këtij refuzimi, zgjidhnin varrin brenda të cilit ose shtinin viktimën ose bashkë me viktimën hidheshin dhe vetë. Natyrisht krimet për shkak të pasionit janë të njohura në të gjithë botën, por këtu te ne po përsëriten me një dendësi të frikshme dhe këto krime po na kujtojnë të gjithëve se jetojmë në një shoqëri të dekompozuar totalisht. Po ta shohësh nga një anë tjetër, të gjitha këto krime janë shfaqje të një dukurie të njohur psikanalitike, të asaj të kalimit nga dashuria në urrejtje. Në rastin e Ersekës, burri që shtiu me automatik mbi të dashurën e tij e donte atë si i çmendur dhe befas dashuria u kthye në urrejtje. Në rastet e tjera, për motive të panjohura mirë, femra vendos të divorcohet, por burri nuk e pranon dhe, edhe këtu, dashuria kthehet në urrejtje. Mirëpo në këtë rast, në konflikt përfshihet edhe familja e femrës, si për të treguar që vajza te ne nuk ka lirinë që duhet. Ndërsa krimi i vajit në vesh është makabër dhe dëshmon se pjesa kafshërore e kriminale e jona gjendet njësoj si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Frojdi thoshte se urrejtja ka lindur më parë se dashuria te njeriu. Urrejtja është refuzimi i tjetrit dhe i botës dhe kulti për veten ose ajo që quhet narcizizmi fillestar. Këtu nuk është vendi për të bërë psikanalizën e këtij fenomeni. Një analizë tjetër ndoshta do të ishte më e dobishme.
Ne si shoqëri, për fat të keq, po formatohemi si një bashkësi e përafruar përmes urrejtjes. Kam pasur rast ta përmend edhe në një shkrim të mëparshëm, në atë me titull “Shqiptari vrasës”, se kultura që ne kemi trashëguar është për fat të keq ajo e vrasjes dhe e eliminimit. Nga ana tjetër, si ballkanas dhe mesdhetarë ne jemi shumë pasionantë dhe në sjelljen tonë kanë vend vetëm dy qëndrime ose urrejtja ose dashuria. Po të shikosh tipologjinë e formimit dhe të edukimit të banorit shqiptar, do të dallosh menjëherë se në themel të formimit të tij qëndron një imazh abstrakt që mbështetet mbi krenarinë dhe dinjitetin gjithashtu abstrakt. Shqiptari është shumë i ndjeshëm për mënyrën se si e shohin dhe si e gjykojnë të tjerët dhe nuk i intereson fare se si jeton. Para disa kohësh, një tjetër vrasje apo tentativë për vrasje u shkaktua vetëm pse dikush po e shihte një shqiptar me një vështrim që shqiptarit tjetër nuk i pëlqente dhe për këtë arsye, ai nxori pisqollën dhe e shkrehu mbi të.
Këto ditë po rilexoj një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare, romanin “Bardha e Temalit” të Pashko Vasës, që ai e botoi në frëngjisht në vitin 1890. Për çudinë më të madhe, ky gjeni i letrave shqipe ka ndërtuar një vepër që i paraqit shqiptarët në thelb, në esencë, në asht ashtu siç janë edhe sot. Nga ajo kohë e deri më sot, thuajse nuk ka ndryshuar asgjë. Ju thashë pak më parë se për një vështrim të drejtuar keq, një shqiptar vret një tjetër. Edhe në romanin e Pashko Vasës, ka një episod të tillë. Trimat e Lulit, një personazh në roman, kanë zbritur nga Temali në Shkodër dhe po vijnë vërdallë në oborrin e madh të shtëpisë shkodrane duke “u hapur menderesh” njësoj si sot. Dera e shtëpisë është e hapur dhe aty pari kalojnë disa të rinj shkodranë, ndër të cilët njëri e sheh një nga trimat me një vështrim jo të pëlqyeshëm. O ti, o unë, thotë shqiptari dhe del jashtë. Nxjerr pisqollën dhe qëllon. Të njëjtën gjë bën dhe tjetri dhe dy varre hapen në një ditë.
Socializmi i Enver Hoxhës dhe diktatura si regjim u ngritën mbi kultin shtetëror të urrejtjes dhe të vrasjes. Kundërshtari politik që ishte shqiptar duhej eliminuar në bazë të shkallës së fajit, duke u dënuar nga vdekja deri në internim. Në këta njëzet e ca vjet tranzicion, ne e shthurëm tërësisht stofin e organizimit shoqëror dhe urrejtjen e vdekjen i kemi marrë si model për të afirmuar veten tonë.
Jozefina Topalli bëri shumë mirë që iu përgjigj thirrjes së dramaturges Eve Ensler, e njohur edhe nga publiku ynë për dramën “Monologët e vaginës”. Ishte iniciativa e saj që ditën e 14 shkurtit në të gjithë botën gratë të vallëzonin për t’iu përgjigjur me kërcim dhunës që ushtrohet mbi to. Ligjërimi i trupit është gjuha më e bukur për t’iu përgjigjur gjuhës së urrejtjes dhe krimit. Mirëpo këtë mesazh shqiptarët e gjorë nuk e morën dot. Ata panë se si kërcenin si të “dala mendsh” ca vajza të drobitura në sheshin politik mes zyrës së Jozefinës dhe zyrës së Saliut. Ky kërcim ishte më shumë një sfidë për të lartësuar jo kulturën e paqes dhe të mirëkuptimit, por atë të urrejtjes dhe të përjashtimit, sepse protagonizmi provincial i Jozefinës nuk përçonte mesazhe paqeje, por mesazhe urrejtjeje dhe lufte ndaj atyre grave e burrave që nuk mendojnë si ajo. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Perëndia, atë ditë, kishte zgjedhur që të ndodhnin në emër të dashurisë dhe të urrejtjes katër ose pesë vrasje makabër.
Top Channel