
Fituesi i Ariut të Artë si filmi më i mirë në edicionin e 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin është drama rumune “Child’s Pose”.
Në të tregohet historia e një nëne mjaft dominuese në karakter, e cila përdor pozitën e saj sociale për të shpëtuar të birin nga burgu. Filmi i drejtuar nga Calin Peter me Luminita Gheorghiu në rolin kryesor, u vlerësua në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Berlinales mbrëmjen e së shtunës.
Amerikani David Gordon Green u cilësua si regjisori më i mirë për filmin “Prince Avalanche”, ndërsa aktores kiliane Paulina Garcia i shkoi çmimi i aktores më të mirë për realizimin e arrirë të rolit të një gruaje të divorcuar nga Santiago në filmin “Gloria”.
Por surpriza e mbrëmjes ka qenë trofeu për aktorin më të mirë, i cili i ka shkuar Nazif Mujiç-it, një pjesëtari të papunë të komunitetit rom në Bosnje, i cili është bindur të luajë vetveten dhe të tregojë eksperiencën e tij të vështirë në filmin “An episode in the life of an iron picker” apo në shqip “Një episod nga jeta e nje hekurishtembledhësi’.
Top Channel