Një shuplakë (aspak) konfidenciale

16/02/2013 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Duket sikur mungojnë vetëm gjyqet e minoritarëve,
burgimi i gazetarëve dhe tymi në majën e redaksisë së gazetës “Koha
Jonë”. Gjithçka tjetër ngjan si 17 vjet të shkuara, kur Presidenti i
atëhershëm, Sali Berisha, niste konfliktin e tij të parë me amerikanët.

Një sherr i shurdhët asokohe, jo si tani, por po kaq i ashpër e idhnak si ky i sotmi. Ashtu si dikur, edhe sot rrokopuja e zgjedhjeve është thuajse po aq e madhe, me të vetmin ndryshim se ndodhemi para, e jo pas procesit elektoral, si në maj të vitit 1996.

Publikimi nga “Top Story” i një letre që Uashingtoni i ka dërguar qeverisë shqiptare, në lidhje me tonet nacionaliste të kohëve të fundit, është me shumë gjasë, pika e ujit që po derdh të gjithë gotën. Amerikanët kanë pasur prej kohësh vërejtje të rënda për mënyrën sesi po drejtohet Shqipëria, sesi po mbahen zgjedhjet, sesi po avancon korrupsioni, sesi nuk po dënohen zyrtarët e lartë dhe sesi po degjeneron drejtësia dhe ligji. Por ndërsa këto janë fenomene të përhapura në të gjitha paralelet dhe meridianët e globit, ekuilibrat gjeopolitike të rajonit tonë, hyjnë tek ajo listë prioritetesh, për të cilat SHBA-ja di ta ngrejë zërin fort dhe qartë. Mjafton fraza e fundit e mesazhit në fjalë “mos na detyroni t’ju dënojmë publikisht”, për të imagjinuar acarimin që duhet ta ketë shkaktuar këtë dalje nga formati i mirësjelljes diplomatike.

Prej muajsh, skena politike shqiptare duket e përfshirë nga një valë retorike nacionaliste/patriotike, që në prag të 100-vjetorit të pavarësisë u kthye në një virozë kolektive. Futja e Berishës në këtë valle, i dha kësaj mode një petk zyrtar, duke e bërë edhe më të pritshëm reagimin e perëndimorëve. Mesazhi i fundit amerikan është vetëm epilogu i morisë së deklaratave të zyrtarëve europianë e amerikanë, të cilët tërhiqnin vëmendjen për lënien mënjanë të kësaj retorike, që afektoi edhe faktorin politik shqiptar në Kosovë e Maqedoni.

Pavarësia kaloi, e bashkë me të u duk sikur u harruan edhe premtimet për ligje dyshtetësie për të gjithë shqiptarët. Por ngjarjet në Preshevë duket se kanë lënë gjurmën e tyre tek amerikanët, aq sa paralajmërimi “mos fusni hundët në punët e brendshme të Serbisë” duket si një urdhër pa të drejtë apelimi.

E gjitha kjo krizë rreth nacionalizmit shqiptar, mes Tiranës dhe Uashingtonit, inkuadrohet në një klimë marrëdhëniesh që vetëm pak muaj më parë, në nëntor, me ardhjen e Hilari Klintonit, dukeshin më të mira se kurrë. Ngjan sikur nga ai moment ka kaluar një shekull, por janë vetëm 100 ditë! Për pasojë, nëse marrim parasysh edhe afrimin e zgjedhjeve, shuplaka amerikane duket si një goditje që s’ka të bëjë vetëm me nacionalizmin. Pasi në të njëjtën kohë me apelin për lënien mënjanë të retorikës panshqiptare, mesazhi amerikan tregon edhe fushat ku duhet të fokusohet klasa drejtuese në Shqipëri: integrimi në Europë, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike.

Pak orë pas bërjes publike të kësaj letre konfidenciale, Berisha iu përgjigj publikisht kritikave amerikane. Në respekt të sjelljes së tij historikisht mospranuese të asnjë kritike, Kryeministri e përkufizoi nacionalizmin shqiptar si “qytetar” dhe që nuk ushqen pretendime territoriale. Përtej faktit që kjo alkimi fjalësh vështirë të mjaftojë në veshët e atyre që formuluan mesazhin, Berisha nuk ia hoqi vetes kënaqësinë e sfidës ndaj goditjes amerikane. Ai vijoi të glorifikojë nacionalizmin shqiptar. “Nacionalizimi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo qytetari të këtij vendi, e çdo politikani të këtij vendi…”, u shpreh ai, duke e lënë faktikisht të hapur e pa përgjigje problemin që ngrinte shqetësimi i SHBA.

Këtu është me vend të shtohet edhe një rrethanë tjetër. Nuk është më një element konfidencial demarshi që qeveria shqiptare po bën tashmë prej vitesh, që ta përpunojë qëndrimin zyrtar amerikan, përmes prenotimit të një numri lobistësh pranë administratës “Obama”. Përtej faktit të shëmtuar që e gjitha kjo fushatë e padukshme prej qindra mijë dollarësh, financohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në zërin e buxhetit “përmirësimi i imazhit të vendit”, efekti i lobistëve është sot ndoshta i vetmi element shprese për Berishën, që të ruajë kuota të pranueshme në sytë e zyrtarëve të lartë amerikanë.

Kësisoj, tashmë ndodhemi në korsinë e një gare të padukshme, mes një opinioni të vjetër dhe të ri të administratës amerikane, aspak pozitiv për Kryeministrin shqiptar, që po vazhdon të piqet, e në anën tjetër, të punës prej “urithi” të Podestas e ndonjë kompanie tjetër të marrë me qira, për t’i bërë makijazhin demokracisë së korruptuar shqiptare. Vështirë të thuhet se cila nga këto linja do të triumfojë në qëndrimin final që amerikanët do të mbajnë ndaj qeverisjes aktuale, megjithëse vetë Berisha po investohet fort, siç po e shohim këto orë, që t’ua bëjë jetën sa më të vështirë njerëzve që ka pajtuar në Uashington.

Por gjasat janë që lobizmi i qeverisë shqiptare për të zbutur humorin gri në administratën amerikane të mos japë frytet që pritet. Ftohja e dukshme, në muajt e fundit, e Kryeministrit me ambasadorin Arvizu, po shënon jo vetëm “respektimin” e një precedenti të vjetër në marrëdhëniet e vështira të Berishës me kryediplomatët amerikanë në Tiranë, por po dëshmon se jo gjithçka mund të rregullohet me para, në kulisat e politikës amerikane. Cilado qoftë influenca që kompanitë e lobimit mund të kenë mbi vendimmarrjen amerikane për Shqipërinë në muajt e ardhshëm (në fakt është vështirë ta quash mirëfilli “vendimmarrje”, për sa kohë që s’ka një politikë amerikane për vendin tonë, por kryesisht qëndrime të ambasadës së SHBA në Tiranë), është fakt se përshtypja e administratës amerikane dhe e ambasadës së saj për vendin tonë, nuk është aspak rozë. Mbetet të urojmë që të mos ketë pas disa vitesh ndonjë “ëikileaks” numër dy, se nuk dihet se ç’do na lexonin sytë nëpër kabllogramet e ambasadës amerikane që po nisen në këto javë drejt Uashingtonit, për qeverisjen shqiptare dhe krerët e saj.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA