Dikush duhet t’i thotë Berishës…

16/02/2013 00:00

Fatos Baxhaku – Skena e djeshme në Parlament ku Kryeministri me gishtin
lart u përgjigjej kritikave më të fundit të SHBA-së për nacionalizëm
kishte diçka patetike. Ishte si një skenë filmi ku i vogli shpërfill
gjigantin, ku trimi i shurdhër vendos të ndjekë rrugën që i ka caktuar
Zoti, ku bindja e thellë nuk ka më veshë të dëgjojë.

Ishte e ngjashme me një tablo në përmasa të mëdha të të ndjerit Guri Madhi ku paraqitej Enver Hoxha në mbledhjen e 21 partive komuniste në Moskë më 1960, në këmbë dhe me gishtin lart (duhet të jetë veti nacionale kjo e gishtit kërcënues) dhe në këmbë seç i bërtet Hrushovit që është strukur diku në qoshe. E gjitha kjo është e bukur nëse shihet artistikisht. E mbase ka ardhur koha që të shkruhet një tjetër “Dimër i vetmisë së madhe”, që, sipas të gjitha gjasave do të titullohej “Pranvera e vetmisë së madhe”, porse e parë politikisht është një qëndrim jashtë kohe, aspak i zgjuar, grotesk dhe madje i rrezikshëm, jo vetëm për Berishën, por për Shqipërinë, Kosovën dhe për krejt Ballkanin.

Berisha është i rrethuar nga njerëz të mençur. Tjetër punë se sa ua dëgjon ai fjalën. Porse dikush duhet të marrë guximin qytetar e t’i thotë Berishës se nacionalizmi nuk është një term që mund të përdoret kuturu. Në botën e qytetëruar, ku ai aspiron të na shpjerë, kuptimi më i përhapur është “një parim politik sipas të cilit njësia politike dhe njësia kombëtare duhet të përputhen”. Tani, nëse Berisha deklaron botërisht se “jam nacionalist dhe jam krenar për këtë” i bie që ai të ketë ndërmend që të bashkojë në një shtet të vetëm jo vetëm Shqipërinë e sotme dhe Kosovën, por edhe territore të tëra në Maqedoni, gati gjysmën e saj, pastaj edhe territore të gjera në Mal të Zi, e po të dojë edhe një pjesë të mirë të Çamërisë, duke u nisur nga fakti i pronësisë shqiptare mbi trojet atje. Me pak fjalë, i bie që në hartën e Ballkanit, nëse bëhen realitet ëndrrat nacionaliste të Kryeministrit, të bëhen ndryshime themelore, nga ato që bëhen vetëm në rast konfliktesh botërore ose në prag të tyre. Nëse ndjekim të njëjtin arsyetim logjik, Berisha nuk bën as më shumë e as më pak sesa i fryn hirit mbi prushin e fjetur të luftërave. Sigurisht, nuk ka asnjë arsye për panik. Askush nuk do ta lejojë Berishën t’u hyjë aventurave të tilla, edhe po të dojë nuk e ka takatin e duhur për ta bërë këtë. Por ama një Kryeministër i nderuar që deklarohet nacionalist nuk bën figurë të duhur dhe nuk është mirë për asnjë shqiptar, këndej e andej kufijve politikë. Në rrethin e Berishës ka plot njerëz të mençur. E pra dikush duhet të kujtohet t’ia thotë këto gjëra fare të thjeshta.

Dikush prej këshilltarëve të tij duhet t’i thotë edhe se vetë termi “nacionalizëm” ngjall neveri në botën e qytetëruar. Një përvojë e gjatë dhe e përgjakshme luftërash, nga më të tmerrshmet e të përgjakshmet, që ka njohur njerëzimi është pasojë pikërisht e nacionalizmit. A nuk është nazizmi shkurtim i nacionalsozialismus të Hitlerit? Sigurisht që edhe në Europë e gjetkë ka parti nacionaliste, por ato përfaqësojnë elektoratin më të dëshpëruar dhe më të pakulturuar e pikërisht andaj edhe më agresiv. Nëse Berisha vazhdon ta quajë veten nacionalist për sytë dhe veshët e Europës dhe SHBA-në ai nuk është gjë tjetër veçse një fqinj i afërt me naziskinët, Agimin e Artë dhe më të tjera grupime të ngjashme. Dikush prej këshilltarëve duhet t’ia thotë edhe këtë Berishës.

Mbase i njëjti person, por ndoshta edhe ndonjë tjetër duhet t’i thotë Berishës se nuk i pi ujë ajo e thëna se ne qenkemi nacionalistë pa pretendime territoriale, duke shpikur kështu një lloj të ri nacionalizmi. Nëse ka nacionalizëm serb, grek, bullgar, maqedonas, shqiptar apo tjetër, ndryshimi i vetëm është kahja e veprimit që është zakonisht nga brenda jashtë vendit, porse në thelb ata janë krejt të ngjashëm, nga lotët prej krokodili që derdhin me ngashërim, nga manipulimi i historisë, nga kthimi i eshtrave të ushtarëve të vrarë në një komedi makabre, nga tejpërdorimi i simboleve kombëtare dhe sidomos, nga gjuha e urrejtjes që përdorin.

Diçka tjetër duhet t’i thotë një nga njerëzit e tij Berishës. Duhet t’i thotë se askush nuk e ka autorizuar të flasë në emër të krejt popullit. Shumë, mund të flasë në emër të tij apo të qeverisë që drejton, por assesi në emër të popullit shqiptar. Askush nuk ia ka deleguar këtë të drejtë. Kështu që nuk ka se si të pretendojë me gojën plot se “të gjithë shqiptarët janë nacionalistë dhe se nacionalizmi është forca e vërtetë e këtij kombi”. Të paktën të ketë më shumë respekt elementar për të tjerët.

Ndonjë prej këshilltarëve, që merr vesh nga diplomacia, duhet t’i pëshpërisë në vesh Berishës se, ndonëse bën mirë që nuk bëhet servil i askujt, ai nuk e ka assesi të drejtën që të acarojë raportet mes SHBA dhe Shqipërisë. SHBA ka qenë historikisht, që nga 1920 e Presidentit ëilson e deri në luftën e Kosovës të 1999-s, një aleat shumë i dobishëm strategjik, mbase më i dobishmi. Karshillëku i kotë është krejt absurd dhe tmerrësisht i dëmshëm për të gjithë shqiptarët, këndej e andej kufirit.

Ndokush tjetër mund t’i thotë Berishës se meqenëse me siguri tashmë e ka lexuar prej kohësh “Marksizmi dhe çështja kombëtare” të Josif Stalinit bën mirë të lexojë ”Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780” të Erik Hobsbaumit. E ka përkthyer Bashkim Shehu që më 1996. Mbase asokohe Presidenti i atëhershëm nuk ua kishte ngenë këtyre soj librash, por sot po ta shfletojë thjesht shpejt e shpejt do ta marrë vesh se çfarë mendon bota për nacionalizmin dhe pjellat e tij, qofshin këto edhe moderne.

Më në fund dikush duhet t’i thotë Berishës që këtë konflikt mund ta zgjidhë fare thjeshtë. Mjafton që në vend të termit “nacionalist” të përdorë “patriot”. Fare e thjeshtë, apo jo? Qe ku u kry bre bacë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA