Shefi i diplolamacisë shqiptare, Edmond Panariti mohon dërgimin e memos nga SHBA, ku i kërkohet Tiranës zyrtare frenimi i retorikës nacionaliste.
I pyetur nga Top Channel mbi këtë dokument, Panariti u përgjigj: “Nuk ka asnjë memo të dërguar nga qeveria e SHBA për qeverinë shqiptare. Nuk ka asnjë dokument zyrtar. Përgjigjia është ezauruar”.
Ndërsa për opozitën, dergimi dhe për më tepër përmbajtja e këtij dokumenti, që u bë publik një ditë më parë në emisionin “Top Story”, për një vend anëtar të NATO-s si Shqipëria dhe nga një partner strategjik si SHBA, është e rëndë.
“Duket qartë që nacionalizmi primitiv i kryeministrit është shqetësues dhe është një lloj zjarrvënieje. Ngjajnë si pika uji nacionalizmi i Berishës me atë të Millosheviçit në vitet ’90, që shkaktoi gjakderdhje në rajon. Apeli i SHBA është ai i një partneri strategjik e dashamirës, që tregon se rruga drejt BE-së kalon përmes reformave që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe jo përmes retorikës nacionaliste për të shkëputur një grusht votash”, deklaroi Bushati.
Orientimi që kjo memo i bën qeverisë për t’u fokusuar në problemet e brendshme, si organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sfidat e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë vendase, për kryetarin e komisionit të integrimit, Ditmir Bushati është tregues se dështimi i qeverisë në këto fusha është i njohur tashmë.
Ky është edhe shkaku që sipas tij shtyn kreun e qeverisë që të intensifikojë deklaratat me tonet nacionaliste që po mbartin kosto të mëdha për vendin.
Top Channel