Engel: Nacionalizmi, i dëmshëm

15/02/2013 00:00

Ligjvensësi amerikan Eliot Engel, në një intervistë për “VOA” është shprehur kundër retorikës nacionaliste që ka përvijuar së fundmi në Shqipëri dhe Kosovë.

Ai është shprehur se lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të natyrshme, por vlerëson se me to nuk duhet të abuzohet pasi një gjë e tillë mund të jetë e dëmshme.

“Jam i shqetësuar për këto retorika, pasi ne luftuam shumë për pavarësinë e Kosovës. Është e natyrshme që të ketë lidhje të ngushta dhe ndjenja vëllazërie mes Shqipërisë dhe Kosovës, por komentet për një Shqipëri të madhe nuk mund të jenë kurrë të dobishme. Kosova është Kosovë dhe Shqipëria është Shqipëri”, ka thënë Engel.

I pyetur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, ligjvënësi ka vlerësuar se ato kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit. “Hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të vendoset pjesërisht nga zgjedhjet, të cilat duhet të jenë të drejta e të lira”, ka thënë Engel.

Gjatë intervistës, Engel, i mirënjohur për angazhimet e tij pro-shqiptare, ka uruar popullin e Kosovës për 5-vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar progreset e arritura gjatë kësaj periudhe.

“Në këto 5 vitet e fundit Kosova ka hyrë mes demokracive të lira e të pavarura të botës. Atë e kanë njohur 98 vende dhe unë përpiqem që ta njohin vende të tjera kur takoj zyrtarë të ndryshëm”, ka thënë Engel, i cili ka theksuar se SHBA duhet të angazhohen më shumë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Mendoj se ka rëndësi që SHBA të luajnë një rol kryesor në çdo proçes që bëhet me Kosovën. Ia kam thënë këtë ish-sekretares Clinton dhe do t’ia them edhe sekretarit aktual John Kerry kur ta takoj. Takova zonjën Ashton më herët dhe diskutova me të për Kosovën dhe thash se ka nevojë që të bëhet progres me Kosovën dhe që Kosova të afrohet me NATO-n dhe BE-në”, ka thënë kongresmeni.

Më tej, ai është shprehur në favor të heqjes së vizave për Kosovën, por ka nënvizuar se edhe Kosova duhet t’u vërë vesh kërkesave të Brukselit. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk mund të luftohen me një të rënë të shkopit, por nëse Brukseli e kërkon këtë, atëherë Prishtina duhet ta marrë seriozisht”, ka shtuar Engel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA