Conte: Nuk i zë besë Romës

15/02/2013 17:10

“Ndeshja ndaj Romës është shumë e vështirë sepse kundërshtarët tanë kanë vlera të mëdha teknike dhe ambienti në stadium do të jetë shumë i ndezur.”

Kështu shprehet Antonio Conte, trajneri i Juventusit, në prag të ndeshjes Roma-Juventus që do të luhet të shtunën (20:45).

“Do të më pëlqente të luaja këtë ndeshje të dielën në mbrëmje sepse në 7 ditët e fundit kemi zbritur në fushë 3 herë. Roma do të jetë edhe më e motivuar ndaj nesh dhe për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm. Momentalisht ata janë në vështirësi, ndërsa ne po lavdërohemi për fitoret e fundit, por nuk duhet të gënjehemi nga kjo situatë”, deklaroi Conte, i cili shtoi se morali i skuadrës së tij është shumë i mirë.

“Disa javë më parë flitej për krizë, por unë nuk isha dakord dhe koha më dha të drejtë. Tani po vijnë elozhet sepse në Gllasgou bëmë një ndeshje të madhe. Morali i lartë na ndihmon për të rimarrë energjitë”, theksoi tekniku italian.

 

Top Channel