Prokuroria e Përgjithshme pritet të urdhërojë një hetim lidhur me një denoncim, i cili duket se do të hedhë dritë për një ndër skandalet më të mëdha në fushën e mjekësisë.
Bëhet fjalë për një kallzim penal, që ka lidhje me një nga vajzat e aksidentuara në Himarë, në 21 maj të vitit të kaluar, ku 13 persona humbën jetën. Një nga të mbijetuarat, Florie Peci, e cila u kurua në Austri për shkak të plagëve të rënda, rezulton se është shtatzënë dhe se familjarët pretendojnë se ajo është përdhunuar gjatë kohës që ajo ishte në koma në Austri. Kallzimi penal është bërë nga vëllai i vajzës, Gazmend Peci, i cili i thotë Prokurorisë:
“Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florie Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur, nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur, motra ime, në aksidentin e ‘Qafës së Vishës’ në Himarë, pësoi dëmtime të rënda shëndetësore, ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qëndroi në koma, në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe, për shkak të shqetësimeve të shumta, specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Ngjizja e shtatzanisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën ‘Gmunderberg Almunster’ në Austri, në periudhën e rehabilitimit”.
Vëllai i vajzës i thotë Prokurorisë, se aktualisht e motra është e shtruar në një maternitet në Tiranë.
“Motra ime, Florie Peci, është përdhunuar në kushtet e spitalit, ku ka qenë për kurim, me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale, në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej”.
Të kontaktuar nga Top Channel, burime jo zyrtare të maternitetit, ku vajza është e shtruar, konfirmojnë se ajo është 21-22 javëshe shtatzënë.
Ndërkohë, ky kallzim ndodhet në duart e prokurorëve, për të cilën familja e vajzës së mbijetuar në aksidentin e Himarës kërkon të gjendet personi, që ka abuzuar me Florie Pecin.
Prokurorit të përgjithshëm i ka dërguar një letër edhe deputeti socialist, Taulant Balla, që si deputet i Librazhdit kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij, që ai vet e quan krim makabër. Zoti Balla kërkon nga kryeprokurori Llalla, që të gjenden autorët jo vetëm në Austri, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që ishin përgjegjës për vajzën, e cila në mirëbesim nga familja iu dorëzua autoriteteve shqiptare për kurim jashtë vendit.
Top Channel