Forumi i Gruas Socialiste i është bashkuar nismës ndërkombëtare të lançuar nga OKB, “Një miliard ngrihen”, në kundër të parandalit të dhunës ndaj grave në të gjithë botën.
Kreu opozitës, Rama foli për një mjedis ku dhuna ndaj gruas dhe ku në tërësi elementët e dhunës dhe agresivitetit kanë marrë proporcione të patolerueshme.
Sipas tij nuk janë vetëm vrasjet në trup, janë dhe vrasjet në shpirt siç ishin ato në Gërdec dhe 21 Janar. Kryetari PS u ndal edhe në organizimet e sotme ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvëndit, Jozefina Topalli.
”Edhe vetë fakti që gratë, qoftë edhe në një ditë për të protestuar kundër dhunës ndaj grave detyrohen të mblidhen forcërisht nëpër takime shtetërore ku thirren me listë apo ku duhet të jenë prezent, për shkak se kanë një punë dhe ajo punë i kthen rëndom në skllave të një politike që i përdor të gjithë të punësuarit në shtet si figurantë për shfaqjet e veta, është përsëri një element që për ne është pjesë e vështirësive që ndeshin sot gratë dhe vajzat”, deklaroi Rama.
”Sa shumë mësuese, sa shumë infermiere, sa shumë gra dhe vajza që punojnë në sektorin publik janë të detyruara të lënë punën dhe të mbushin sheshe, të mbushin salla, të mbushin platformat e shfaqjeve të një politike që dhe kur flet për më shumë liri e të drejta për gratë e bën këtë përpara grash që shkelen në lirinë dhe të drejtën më elementare, për të vendosur vetë se ku duhet të jenë në një moment të caktuar të ditës”, shtoi ai.
Kryetarja e “FGS”, Olta Xhaçka ka theksuar se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjitha gratë në të gjithë botën, sepse kjo protestë bëhet në emër të thyerjes së atij zinxhiri të dhunës që mban peng mirëqenien dhe lumturinë e 1 miliardë grave në të gjithë botë.
Top Channel