Argjendi 100 m: Ronaldo, rival në sprint

14/02/2013 17:55

Fituesi i medaljes së argjendtë në 100 metra sprint për meshkuj në Londër 2012, Yohan Blake, mendon se nëse Cristiano Ronaldo do të kishte marrë një trajnim për sprintier, do të ishte në gjendje që të konkurronte mes më të mirëve në këtë sport.

”Cristiano është një prej futbollistëve më të mirë në botë, por ajo që më befason më shumë është shpejtësia e tij. Do të isha kurioz ta shihja në 100 metra, por duket qartë që është shumë i shpejtë”, deklaroi xhamajkani Blake.

Sipas Blake, “me trajtimin e duhur, ai do të ishte një kandidat për baterinë finale të Lojrave Olimpike. Ai edhe me nje stervitje si futbollist eshte jashtezakonisht i shpejte”.

Në intervistën për të përditshmen sportive spanjolle “AS”, Blake dha mendimin e tij edhe mbi çështjen e dopingut të Armstrong. “Nuk më pëlqen dopingu, gjithmonë më ka pëlqyer sporti i pastër, ku të fitojë vetëm më i miri. Shpresoj që të arrijmë ta mbyllim këtë plagë të sportit”.

Top Channel